Drejtori i Aviacionit Civil, Krislen Keri reagoi për herë të parë pas falimentimit të kompanisë ajrore “Fly Ernest”. Në një prononcim për mediat, Keri deklaroi se gjatë 72 orëve të fundit, kompani ka operuar në mënyrë jo të ndershme. Sipas tij, kompania ka mbyllur çdo rrugë kontakti me qytetarët për t’iu shmangur përgjegjësisë.
“Ishin të detyruar të merrnin këtë vendim. Kishim lëjnë një periudhë 2-javorshe për qytetarët që kishin blerë një biletë në kompani për zhvillimin e udhëtimeve gjatë periudhës së festave. Ata u shprehën për një angazhim maksimal në mbrojtjen e pasagjerëve, por sot konstatojmë se kompania ka operuar në mënyrë jo të ndershme në 72 orët e fundit me qytetarët që kanë blerë bileta. Përgjigjet në call center kanë qenë të mbyllura dhe pasagjerët nuk kishin informacions e çfarë do të ndodhë me biletat e tyre”, tha ai.
Sa iu takon qytetarëve që sot shkaktuan tensione në aeroport, Keri sqaroi se ata janë nisur me dy avionë të tjerë drejt Italisë.
“Kompania rreth orës 17:30 ka firmosur një kontratë vetëm opër ditën e sotme për 3 avionë shtesë, të gjitha këto në përpjekjen e vetme për të mbrojtur qytetarët që kanë prerë një biletë.
Ne kemi qenë në terren bashkë me stafin e aeroportit dhe kuptohet lehtësisht se roli i Aviacionit Civil ka qenë i kufizuar. Qytetarët që ndodheshin në aeroport gjatë ditës së sotme u drejtuan rreth çerek ore më përpara, janë nisur dy avionë, një drejt Romës dhe një drejt Milanos.
Po punohet me orë të zgjatura që kompania të çojë pasagjerët në destinacion deri në datën 13 që kanë blerë qytetarët biletat. Autoriteti Italian do të rishprehet në datën 13 nëse kompania do të vijojë punën apo jo. Deri atëherë kompania duhet të kryejë fluturimet. Qytetarët të na kontaktojnë me email dhe telefon neve, por veçanërisht kompaninë”, u shpreh drejtori i Aviacionit Civil.
Ai ju bëri thirrje qytetarëve që të mos dorëzohen, por të kërkojnë deri në fund rimbursim nëse nuk marrin shërbim.
“Qytetarët që kanë prerë biletat të kontaktojnë me kompaninë. Nëse nuk e bëjnë dot, duhet të aplikojnë tek linku për rimbursim”, deklaroi Keri.
Ai bëri me dije edhe faktin se “Fly Ernest” është gjobitur nga Aviacioni Civil, por gjoba nuk është paguar. “Në një moment kompania u gjobit, gjobë e cila ende nuk është paguar sepse ka konflikte administrative sa iu përket fuqive tona për të gjobitur një kompani të huaj”, tha Krislen Keri.