Armir Shkurti dhe Gridi Rroji kanë folur për emisionin “Fokus” të Robert Papa që transmetohet në Fax News mbi situatën politike në vend, ndryshimet e mundshme ekonomiko-politike etj.
Shkurti përmendi një sërë faktorësh që e bëjnë qeverisjen aktuale sipas tij në shërbim të oligarkëve dhe përgjegjëse e ikjes masive të shqiptarëve nga vendi, ndërsa ka radhitur edhe disa faktorë nga ana tjetër shqetësuese që kanë filluar ta bëjnë kryeqytetin shqiptar sit ë pajetueshëm.
“Është mundësi e rrallë për të folur në media për situatën që ka ndodhur në Shqipëri, pasi na i kanë mbyllur dyer dhe dritaret. Në 1986 Shqipëria numëronte 4 milionë banorë, duhej të ishin 4 milionë por sot diçka më shumë se 2 milionë kanë mbetur. Vetëm vitin e kaluar munguan 100 mijë fëmijë në shkolla. Shqipëria ka problem shpresën, gjendja është një regjim i Edi Ramës që ka kapur të gjitha institucionet, nga opozita në parlament, por edhe opozita jashtë është këmba që e mban Ramën në pushtet. Shqiptarët e kuptojnë se ose duhet të largojnë këtë dyshe ose duhet të presin hyrjen nga jashtë. Për shqiptarët që jetojnë në Tiranë e shikojnë kaosin total, janë ngushtuar rrugët, shtuar ndërtimet, është pesëfishuar popullsia, makinat janë qindra-fishuar. Në vend që të ishin krijuar mundësi për të lehtësuar këtë gjë, është përkeqësuar. Pemët e pyllit orbital na rezultojnë më të shtrenjta se edhe në tregjet e pakicës. Ka ajrin ndër më të ndoturit në rajon. Shtresa e mesme është asgjesuar. Nëse je mik i oligarkëve bën karrierë, ndryshe do të zhdukesh. Pa një lëvizje politike reale jashtë establishmentit, nuk do të ketë asnjë ndryshim”, tha Shkurti.
Ndërsa Gridi Rroji që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e sheh ndryshimin e situatës në Shqipëri të bazuar tek disa faktorë që më tej argumenton se do ta kishin shumë të vështirë punën e tyre për shkak të kontrollit nga ‘paria’.
“Është një rrugë pa krye, me parime kriminale dhe oligarkike që pasurohen dhe kontrollojnë gjithçka, kanë para. Por çdo rrugë e ka një fund dhe çdo udhëtim politik e ka një logjikë, dhe logjika e udhëtimit politik ka ardhur drejt fundit. E vetmja gjë që kërkon kryeministri janë paratë, sepse arka e shtetit ka mbetur bosh. Kësaj parie i ka ardhur fundi i qëndrueshmërisë. Edhe grupi që i rri afër po ngushtohet sepse nuk ka më para dhe kur nuk ka para laku ngushtohet dhe ata largohen. Një zgjidhje e mundshme është nga jashtë, por pa vullnetin e shqiptarëve të huajt nuk mund të vendosin demokracinë. Ka raste historike shumë se nëse njerëzit nuk binden të ndryshojnë rrugë, çdo ndërhyrje e jashtmë është thjesht e pamundur. Tjetër mënyrë është revolucioni, por kjo kërkon njerëz me bindje të thella, por duket e pamundur sepse paria kontrollon gjithçka. Gjithkush që del me axhendë revolucionare, kapet në forma të ndryshme nga paria”, tha Rroji.
(F.GJ/FAXWEB.AL)