Shqipëria është në miljet e fundit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pas Francës, edhe Gjermania mbështet “ëndrrën europiane të qeverisë shqiptare” për t’u anëtarësuar në “union” deri në vitin 2030. Para se të trokasë në dyert e Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të jetë gati. Për një “po” në vend të një “jo”-je, vendi duhet të punojë fort.
“Në Shqipëri, synimi ambicioz është anëtarësimi në BE deri në vitin 2030. Dhe mund të them që Gjermania mirëpret këtë ambicie. Jemi shumë të kënaqur për të. Por megjithatë, besojmë se është më e rëndësishme të fokusohemi në reforma konkrete, në përparimin real në procesin e përafrimit dhe forcimin e institucioneve sesa në datat”, tha Thilo Schroeter, zëvendës-ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.
“Mundësitë e kushtëzuar nga sfidat” në rrugën e vështirë të anëtarësimit në “union” u vunë sërish në pah edhe nga i zyrtari gjerman në Tiranë.
“Prandaj, fokusi i Procesit të Berlinit te integrimi rajonal është një plotësues i rëndësishëm ndaj procesit të zgjerimit të BE-së dhe është plotësisht i justifikuar. Dhe besoj se kjo theksohet qartë edhe nga fakti që integrimi rajonal është një komponent thelbësor i planit të rritjes, në shtyllën e dytë – komponenti i integrimit rajonal”, tha ambasadori.
Me rrugën ende të gjatë para drejt anëtarësimit, theksi vihet veçanërisht te individi si kapitali më i çmuar i Shqipërisë dhe bashkëpunimi Rajonal.
“Rekomandojmë që bashkëpunimi rajonal të theksojë bashkëpunimin ndërkufitar, veçanërisht për zonat pranë kufijve. Duhet të krijojmë më shumë sinergji me planet e rritjes. Këto plane janë kombëtare, por kanë shumë veprime, sidomos në klastrin 2, që mund të shërbejnë edhe për bashkëpunimin rajonal”, tha Ardian Haçkaj, Instituti i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit.
Në takimin e organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe GIZ, ku u diskutua rreth marrëveshjeve në kuadër të CEFTA-s që synojnë lëvizjen e lirë të njerëzve brenda rajonit, zyrtarë vendas e të huaj konfirmuan se zbatimi i tyre në vendete Ballkanit vazhdon të jetë një sfidë.