Gjeneralja e parë shqiptare Manushaqe Shehu e ftuar në emisionin ‘Fol me mua’ në Fax News ka treguar se si ka lindur pasioni për të qenë pjesë e forcave ushtarake. Ajo thotë se e kishte pasion edhe për shkak të familjarëve të saj, ku përmend babain e saj, i cili ka qenë pjesë e ushtrisë, më pas vëllezërit dhe bashkëshorti.
“Në kohën kur unë kam mbaruar gjimnazin nuk kishim shumë alternativa që ne të zgjidhnim degën që preferonim, por ishte më shumë mbështetja e familjes që ne të kishim të paktën një diplomë dhe ne të kishim një arsimim.
Në një moshë fare të re e kisha pasion më pëlqente rroba pavarësisht se kisha aplikuar edhe në dy degë të tjera, e para ishte mjeksia, e dyta ishte juridiku dhe e treta ishte ushtarakja, sepse na lejohej të aplikonim vetëm në tre degë.
E kisha pasion sepse kam dhe familjaret e mi ushtarakë, i kisha se për shembull babai s’më jeton, por edhe vllezërit dhe bashkëshorti më vonë. Do të thoja që dardha nën dardh bie dhe kur ke pasion në familje nuk e ke dhe aq të vështirë për të zgjedhur. Kështu që ishte një ndër tre degët e mia, u realizu e treta”, u shpreh Shehu.
Ndër të tjera ajo tha se të gjithë ushtarakët kanë një mision, ku duhet të zbatojnë çdo dispozitë ligjore dhe akt ligjor në mënyrë që të ndihmojnë kombin. Shehu gjithashtu iu bëri një thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë që ta konsiderojnë Forcat e Armatosura si një mundësi për aspiratat e tyre.
“Ne kemi një mision, kemi pesë pika, në kuptimin që ky mision të realizohet. Zbatojmë çdo dispozitë ligjor, akt ligjor dhe në qoftë se ti zbaton ligjet, në qoftë se zbaton dispozitat ligjore ndjen një qetësi, je e qetë që ndihmon veten, ndihmon kombin, ndihmon ato që të rrethojnë dhe bën punën shumë mirë.
Me këtë rast do të iu bëja thirrje gjithë të rinjve shqiptarë që të ndjekin pasionet, të ndjekin aspiratat e tyre është një vend, Forca e Armatosur që të jep shumë mundësi”- tha Shehu.