Kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët në Kosovë se çfarë donte të thoshte në konferencën me Angela Merkel, kur i shpreh se ‘Kosova rri ulur dhe bën konspiracion për Ballkanin e Hapur”. Rama tha se citimi i tij është tjetërsuar, dhe në fakt pas zhvillimeve në veri të Kosovës ai është edhe më shumë pro procesit të Ballkanit të Hapur.
Në fjalën e tij Rama tha më tej se një ditë shqiptarët në të dy anët e kufirit, por edhe fqinjët e tyre do të jenë së bashku, si një e tërë në BE. Kryeministri shqiptar tha se është e afërt dita kur Serbia të njohë Kosovën dhe të kërkojë falje për krimet e luftës.
Kryeministër Rama në konferencën me zonjën Merkel, mbeti një çështje pa u sqaruar, që Kosova rri ulur dhe bën konspiracione për Open Ballkan?
Rama: Nuk më citoni si duhet, dhe meqë ma dhatë dhe njëherë tjetër mundësinë, kam pasur shumë mesazhe edhe të drejtpërdrejta, për shkak të situatës së krijuar nga Kosova, ku pavarësosht toneve dhe ngjyrimeve, thelbi ishte ”po tani a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë”. Tani jam më i bindur që Ballkani i Hapur është edhe më shumë rruga jonë e përbashkët, dhe ka një dallim sipas meje mes nacionalizmit dhe patriotizmit.
Kemi një mosdakordësi me Albinin në këtë pikë, dhe duhet të themi që është një mosdakordësi politike, marrdhëniet tona nuk ndikohen nga një mosdakordësi e kësaj natyre. Dakordësia jonë është përtej çdo mosdakordësie politike, që është vllazërore dhe kombëtare.
Dhe ëndrrën tonë për të jetuar të pandarë si shqiptarë dhe si Europianë, dita kur shqiptarët, por edhe serbët, boshnjakët, malazezët të jenë të pandashëm. Do të vijë edhe dita kur Serbia ta njohë Kosovën, dhe do të kërkojë falje për krimet e luftës. Çfarë do të bëjmë ne shqiptarët për ta afruar këtë ditë, nuk është arsye për ta vënë në pikëpyetje marrëdhënien e përbashkët.
(E.K/Faxweb.al)