Fondi i sigurimit të depozitave në shoqëritë e kursim kreditit u rrit me 15.4% vitin e kaluar.
Sipas informacionit të Agjencisë për sigurimin e Depozitave ky fond arriti vlerën e 192 milionë lekëve ose pothuajse 1.7 milionë eurove në fund të vitit 2022.
Të ardhurat kryesore që kontribuojnë në rritjen e fondit të sigurimit të depozitave në SHKK janë të ardhurat nga primi i sigurimit dhe të ardhurat nga administrimi (investimi) i mjeteve financiare.
Të ardhurat për vitin 2022 arritën në rreth 26.4 milionë lekë, nga të cilat të ardhurat nga primet e sigurimit ishin 21.1 milion lekë, ndërsa të ardhurat nga investimi ishin 5.3 milionë lekë.
Tashmë, raporti i mbulimit të depozitave të siguruara në SHKK prej fondit të administruar nga ASD ka arritur në 2.61%, nga 2.42% që kishte qenë një vit më parë. Raporti i mbulimit është ndjeshëm më i ulët krahasuar me atë të depozitave në banka, që në fund të vitit 2022 arriti në 7%. Por, skema e sigurimit të depozitave në SHKK është më e re në kohë.
Ngritja e këtij fondi nisi në vitin 2015, me ndryshimet e ligjit ‘Për sigurimin e depozitave’, që përfshinë edhe SHKK-të në skemën e sigurimit të depozitave, deri në 2 milionë lekë për çdo depozitues.
Në janar të vitit 2015, u arkëtua nga Buxheti i Shtetit fondi themeltar për sigurimin e depozitave në SHKK në vlerë 76 milion lekë, që siguroi bazën fillestare financiare të fondit të sigurimit të depozitave në SHKK.
Duke nisur nga viti 2015 e në vazhdim, Agjencia ka administruar mjetet financiare të fondit të sigurimit të depozitave në SHKK, të cilat hynë në skemë vetëm në fillim të vitit 2017, për shkak të kohës së nevojshme për përmbushjen e kritereve ligjore për përfshirjen në të.
Sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të ASD-së. Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së.
Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht në Shqipëri veprojnë 11 SHKK aktive, ndërsa Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) raporton nëntë subjekte të anëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave.
Përfshirja në skemën e sigurimit të depozitave vlerësohet se ka pasur një rol të rëndësishëm në rritjen e sektorit të SHKK-ve në vitet e fundit. Totali i aktiveve të tregut në fund të vitit 2022 arriti vlerën e 14.36 miliardë lekëve ose afërsisht 127 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, tregu i shoqërive të kursim-kreditit u rrit me 8.2%.
Në fund të vitit 2022, depozitat në SHKK prekën shifrën e 10.4 miliardë lekëve, në rritje 8.3% me bazë vjetore. Ndryshe nga sa ndodh për sektorin bankar, depozitat e SHKK-ve dominohen në masën 80% nga depozitat në monedhën vendase. Sipas ASD-së, depozitat e siguruara për SHKK-të ishin rreth 7.4 miliardë lekë ose 6.9% më shumë se një vit më parë./E.Shehu/Monitor.al