Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përcaktuar disa detyra për qeverinë, të cilat kanë të bëjnë me sistemin fiskal dhe rritjen e të ardhurave.
Këtë e bën të ditur vetë FMN përmes një raporti, ku thuhet se kjo organizatë kërkon që kryeministri të mos japë stimuj fiskalë përpara zgjedhjeve dhe të përshpejtojë reformën mbi taksën e pronës.
Në raportin e plotë të rishikimit të nëntë dhe të dhjetë të marrëveshjes me Shqipërinë, FMN thotë se sipas projektit të qeverisë, taksa e pronës do të vilet tek fatura e energjisë elektrike. Ndërkohë, sipas FMN-së, kryeministri ka miratuar një plan veprimi dhe një grup të veçantë pune që po drejton procesin.
“Kadastra fiskale është duke u zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike. Ministria e Financave është duke zhvilluar një projekt pilot në katër zona të mëdha, duke integruar faturat e tatimit të pronës në faturat e energjisë elektrike dhe ujit, për ta shtrirë më tej këtë skemë”, thuhet në raportin e FMN-së.
FMN nga ana tjetër konsideron se strategjia e konsolidimit fiskal kërkon angazhim të fortë politik. “Autoritetet duhet të përmbahen nga dhënia e stimujve të rinj tatimor.
Plani i veprimit për të futur një taksë të pronës vlerësimi me bazë duhet të zbatohet urgjentisht. Reformat për modernizimin e administratës tatimore janë çelësi për të siguruar konsolidim fiskal në mënyrë efikase dhe përmirësimin e klimës së biznesit”, vlerësohet në raport.
Ky është raporti i fundit i FMN-së, pas përfundimit të kontratës tre vjeçare me Shqipërinë.(D.D/Shuplaka)