Forca Ajrore është futur në një proces të thellë modernizimi.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu theksoi sot se, “Forca Ajrore dhe Baza Ajrore Farkë janë shembuj ekselentë të investimeve, modernizimit në Forcat e Armatosura dhe përmirësimit të ndjeshëm të trajtimit financiar për gratë dhe burrat që shërbejnë në uniformë”.
Vengu u shpreh krenar për arritjet deri tani dhe i vendosur për ta çuar përpara këtë transformim, me kapitalin njerëzor dhe procesin e modernizimit si prioritete absolute.
Togeri i Forcës Ajrore, Ditmar Hoxha u shpreh në videon e ndarë nga ministri Vengu se, “kam 3 vite që unë jam pjesë e Forcës Ajrore dhe kam parë përmirësime në shumë fusha sa i përket punës që bëj. Përmirësimet më të mëdha kanë ardhur në mjete dhe në pajisje”.
Sa i përket përmirësimeve në infrastrukturë ai u shpreh se, “jemi akoma në punim e sipër”.
“Ka disa projekte për Bazën Ajrore të Farkës që të shndërrohet në një nga bazat model të rajonit, por jemi në punime e sipër”, tha ai.
Sa i përket trajnimeve, Hoxha u shpreh se, “ka një përmirësim goxha të madh. Shpresojmë që të vazhdojë po kështu, që të kemi trajnime të vazhdueshme të personelit, qoftë brenda, qoftë dhe jashtë Shqipërisë”.
Trajnimi financiar i ekuipazheve fluturuese, më i mirë se kurrë më parë.
“Gjatë viteve të fundit ka pasur një rritje pak a shumë në çdo vit me nga një përqindje, ndodhi një rritje tani një rritje të vështirësive të të gjithë Forcave të Armatosura. Ka një përmirësim të mirë dhe shpresojmë që kjo gjë të vazhdojë për një kohë të gjatë”, u shpreh Hoxha.
“Një përmirësim shumë i mirë vjen dhe për anën teknike tonën që më përpara nuk është se ka pasur një trajtim të denjë financiar. Momentalisht janë pak më mirë, por shpresojmë që edhe më mirë të bëhet”, tha ai.
Investimet pritet të rrisin prurjet e reja në Forcat e Armatosura.
“Rinia e shikon që rrogat po ndryshojnë. Ka paga më të mira dhe janë në progresion në rritje. Ajo është shpresa. Besoj që do të ketë më shumë prurje”, tha Hoxha.
Discussion about this post