Lirim Zendeli nga Shkupi synon të bëhet shqiptari i parë që ngjitet në piedestalet e Formula 1. Këtë sezon ai garon në Formula 3, pasi në moshën 19-vjeçare, një vit më parë, fitoi kampionatin e Formula 4.
“E shoh veten si kampion në Formula 3, por edhe në Formula 1. Besoj se me përkrahjen e duhur kjo është e mundur të arrihet. Do ishte shumë mirë që të jem shqiptari i parë që do të arrij këtë”, – thotë ai.
Zendeli tregon se këtë sport e nisi si hobi në Gjermani, në moshën 10-vjeçare, nërsa rastësisht ai është stërvitur në një klub privat të legjendës së Formula 1, Michael Schumacher dhe trajnerët dalluan shumë shpejt talentin e tij.
“Kam filluar në ekipin e Michael Schumacher, 4 vjet në karting. Kam fituar kampionate të Gjermanisë, gara në botë. Hap pas hapi arritëm në F4, ku fituam kampionatin, dhe tani në F3”, – shprehet Zendeli.
Sponsori dhe menaxheri i tij Sali Ajdini, një tjetër shqiptar nga Maqedonia e Veriut që jeton në Gjermani, thotë se synimi kryesor i këtij sezoni është titulli kampion në Formula 3.
“Shkalla e dytë është Formula 1. Kemi për të hipur edhe një shkallë dhe të fillojmë kontratat me Formula 1. Lirimi është shumë i vendosur. Ai dëshiron që ta arrijë qëllimin. Ëndrrën që ka, me mbështetjen që ka, do ta ketë më të lehtë për ta arritur”, – thotë Ajdini.
Lirim Zendeli për momentin është në bisedime për të firmosur me skuadër të re në Formula 3. Por emrin e klubit e mban të fshehtë deri sa të formalizohen kontratat.