Në Asamblenë e zgjeruar të Forumit të Gruas Socialiste që u mbajt sot në Tiranë, janë shpallur kandidaturat për kryetaren e ardhshme të këtij forumi, që do zëvendësojë Olta Xhaçkën.
Blerina Doracaj, Entela Hysenllari, Belioza Çoku dhe Jonila Gabrani janë katër kandidatet të cilat paraqitën edhe platformën e tyre sot.
I ftuar në këtë asamble, i deleguari i kryesisë për Tiranën Saimir Tahiri vuri theksin tek rëndësia e reformës në drejtësi për t’i dhënë fund njëherë e mirë keqtrajtimit dhe “përdhunimit” brenda sistemit të drejtësisë.
“Ju e dini shumë mirë, shumë qytetarë janë provë e përditshme e rrëmujës dhe përdhunimit brenda sistemit të drejtësisë. Ata duan ta mbajnë peng reformën në sistemin e drejtësisë, ne duam ta çojmë para; sepse janë të lidhur nën korporatën që ka vënë nën thundër sistemin e drejtësisë. Detyra jonë e madhe është që të bisedojmë sa më shumë me qytetarët, e t’i bindim ata se çdo vështirësi përballohet më mirë në grup dhe të bashkuar. Një ndër to, më e rëndësishme është përballja me të gjithë ata që mbajnë peng Reformën në”, është shprehur ministri Tahiri.
Kryetarja aktuale e Forumit të Gruas, Olta Xhaçka, nuk la pa përmendur arritjet e saj në këto 4-vite.
“Kemi shumë arritje në këto katër vite për të qenë krenare; është vizioni i PS dhe Edi Ramës për të gjitha këto arritje. Nuk është retorike që sot kemi 8 gra ministre. 50% të Këshillave Bashkiakë: gra. Në PS, 50% e delegatëve në Kongres janë gra.” – tha Xhaçka.
Sipas saj, të gjitha këto janë arritje të barazisë në vendimmarrje.