Foshnja iraniane e quajtur Fatemeh Reshad pritet që së shpejti të udhëtojë drejt Oregon-it për t’i nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale të domosdoshme për të jetuar. Me probleme të theksuara kardiake kësaj foshnje dhe prindërve të saj iu ndalua udhëtimi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas urdhrit të Trump për të ndaluar myslimanët e 7 vendeve.
Urdhri ekzekutiv i presidentit të SHBA-ve, penalizonte foshnjën 4-muajshe për të cilën mjekët ishin shprehur se në rast mosndërhyrje kirurgjikale, nuk do të mundej të jetonte.
Mjekët iranianë u thanë prindërve se foshnja e tyre kishte nevojë për të paktën një ndërhyrje kirurgjikale. Fatemeh Reshad, thuhet se ka lindur me një formë të rrallë të sëmundjes së zemrës, e cila prek 2 në 10.000 të porsalindur.
Pas kritikave drejtuar presidentit Donald Trump për urdhrin ekzekutiv, por dhe për rastin në fjalë nga anëtarja demokrate e kongresit, Suzanne Bonamici, mësohet se foshnja do i nënshtrohet operacionit që pritet t’i shpëtojë jetën.
“Ne parashikojmë një rezultat të mirë të operacionit, që do t’i ofrojë asaj jetë shumë aktive.”, mësohet të jenë shprehur mjekët.
“U gëzuam këtë mbrëmje pas marrjes së lajmit se qeveria federale ka lejuar Fatemeh Reshad dhe prindërit e foshnjes të hyjnë në SHBA. Ne do të vazhdojmë të punojmë me projektin e Asistencës Ndërkombëtare për Emigrantët.”, tha ndër të tjera Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo. (XH.A/SHUPLAKA)