Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka hapur disa fronte ushtarake në Lindjen e Mesme, në të njëjtën kohë, ai kërcënon këtu dhe atje rreth detit Egje dhe Mesdheut. Kjo nuk do të thotë se Ballkani është jashtë radarit të tij, kështu e nis shkrimin media greke Kathimerini sipas së cilës presidenti turk Erdogan synon të manipulojë shqiptarët përmes radikalizimit të tyre, por këtu ka hasur në një pengesë – nacionalizmin shqiptar.
Plani i Erdoganit është çrrënjosja e çdo bashkëpunëtori të klerikut në mërgim Fethullah Gulen në rajon, të cilët kryesisht gjenden në shkollat private dhe institucionet e tjera të lidhura me lëvizjen. Deri pak kohë më parë, ai do t’i detyronte qeveritë që t’i mbyllnin shkollat dhe t’i dorëzonin “terroristët”. Vetëm muajin e kaluar, gjashtë shtetas turq u rrëmbyen nga agjentët e shërbimit të inteligjencës së Ankarasë që vepronin në Kosovë. Ndërkohë, Erdogan ka nisur një fushatë propagandistike të dizajnuar për të frikësuar shqiptarët e zakonshëm duke pretenduar se Gulenistët janë duke orkestruar një seri grushtesh.
Duke cituar frazën e Pashko Vasës, se “feja e shqiptarit është shqiptaria,” e përditshmja më e madhe greke thotë se shqiptarët “mirëpresin investimet turke ose para për konstruktimin e xhamiave, por shumë pak banorë dëshirojnë të jetojnë ndër një demokraci siç ka ndërtuar Erdogani në shtëpi.”
Shumica e shqiptarëve e kanë orientuar veten drejt perëndimit, kurse thuajse të gjithë mendojnë se Islami, pjesërisht islami radikal, prek identitetin e tyre Kombëtar. Këtu përmendet edhe historia shqiptare, që flet për luftë pesëshekullore ndaj osmanëve dhe largimin e flamurit turk nga hidrocentrali prej banorëve vendas të Mirditës. Erdogan mund ta shikojë veten si lider i muslimanëve të Ballkanit, por kur ai së fundi vizitoi Shkupin, lideri i partisë më të madhe shqiptare, Ali Ahmeti, refuzoi ta shoqëronte atë në një turne të vendbanimeve etnike shqiptare dhe i ndaloi ministrat e tij që të bashkoheshin me të, shkruan në fund e përditshmja greke.
Kujtojmë që arrestimi dhe deportimi i 6 shtetasve tuerq nga Kosova në Turqi hapi debat në Kosovë por edhe në Shqipëri mbi ndikimin e Erdogan në Shqipëri.
(B.H/Faxweb)