Detaje të tjera janë zbuluar pas superoperacionit ndërkombëtar antidrogë, të organizuar nga Greqia dhe Ekuadori me ndihmën e DEA-s amerikane.
Mësohet se në sajë të këtij operacioni, numri i të arrestuarve ka shkuar në 11, 3 në Greqi e 8 të tjerë në Ekuador. Mes të arrestuarve në Greqi është edhe shqiptari Ilia Petro Papa dhe ka lindur me 04. 12. 1977 ne Elbasan, ndërsa banon në Kolargou të Athinës.
Kujtojmë se droga do të nisej nga Santa Elena, Ecuador në Australi përmes korridorit të Paqësorit. Dy ditë më parë një prej të arrestuarve ka kërkuar leje në kapitenerinë e Puerta de Salinas për të nisur anijen por leja iu mohua.
Ndërkohë kur është kryer operacioni, sapo kanë vënë re policinë, një person ka tentuar të manovrojë velierën. Sipas policisë ekuadoriane, organizata drejtohej nga një shqiptar e dy grekë, ndërkohë që koordinimin në Ekuador e bënin dy grekë të tjerë. Ndër të arrestuarit është edhe vëllai i shqiptarit Ilia, i cili është vënë në pranga në Ekuador.
Organizata kriminale ishte e përbërë nga dy grupe, ndërsa të ardhurat e saj llogariten në mbi 11 milionë euro. Janë sekuestruar në Ekuador 382 kg kokainë dhe në Greqi 2 pistoleta, 223 fishekë dhe 2 peshore.
Gjatë operacionit në Ekuador u sekuestruan gjithashtu edhe 30.705 dollarë dhe 2 armë zjarri.
(B.B/ Faxweb.al)