Pas publikimit të një foto me deputetin e PD-së Astrit Patozi, e cila u aludua nga portalet se gazatari Mero Baze po komploton me grupin kundër kryetarit të ngrirë në PD dhe do të marrë PD-në.
Në një editorial botuar në Gazetën “TemA”, me titull “Lufta me maska e Lulzim Bashës”, Baze sqaron aludimet që qarkullojnë prej disa ditësh.
“Unë kam dashur “të marr PD-në”, një fjali sa pa kuptim, aq dhe vulgare për mendjet e sëmura rrotull kryetarit të vulës”, shkruan gazetari.
Reagimi i plotë:
Në fund, desha t’i kthej përgjigje një fushate të ndyrë po ndaj kundërshtarëve të Bashës, por ku po përdoret emri im. Është bërë në disa raste nga disa kamarierë pa identitet të tij dhe vazhdon me këto profilet anonime, sipas të cilëve, ekziston një komplot në PD, prej vitit 2013, d.m.th që me Olldashin, që unë kam dashur “të marr PD-në”, një fjali sa pa kuptim, aq dhe vulgare për mendjet e sëmura rrotull kryetarit të vulës.
Ndryshe nga Lulzim Basha dhe kushdo kollovar tjetër aty, unë kam një raport emocional me PD, një raport që nis nga dhjetori i 1990, kur kam themeluar ndoshta degën më të vështirë të saj, në malet e Martaneshit dhe Burrel, dhe kjo histori ka vazhduar dhe në ditë shumë të vështira të PD-së. Por unë i kam dalë përballë pushtetit të asaj partie, kur aty u shfaq Lulzim Basha si “dhëndër brenda” për të bërë ato që bëri bashkë me Sali Berishën, që nga vjedhjet galopante, e deri tek vrasja e qytetarëve në bulevard dhe vjedhja e zgjedhjeve.
Unë kam luftuar boll që këta njerëz të ikin nga pushteti dhe projekti im kundër pushtetit të tyre personal në krye të PD, mbaron në vitin 2013, kur ata ikën nga pushteti, edhe për shkak të luftës sime. Dhe për këtë jam krenar!
Prej 2013-s, luftën kundër PD-së dhe të ardhmes së saj nuk e drejtoj më unë, por Lulzim Basha. Mua më ndodh e kundërta, pasi prej vitit 2013, mua më dhimbset PD, për atë çfarë po i bën Lulzim Basha. Nëse do isha dikush që do e urreja PD-në vërtet, njeriun që do të doja më shumë sot, do të ishte Lulzim Basha. Ai do të ishte i vetmi aleat i imi në atë parti, sikur unë ta urreja. Atë që i ka bërë ky njeri PD-së, nuk do mund t’ia bënte as armiku më i madh i saj. Bile jo vetëm PD-së, por dhe Sali Berishës.
Unë jashtë modestisë, i jap shumë pikë vetes në luftën ndaj Berishës, ashtu sikundër i jap shumë pikë dhe atij në luftën kundër meje. Por lufta mes nesh ka qenë ballazi, me emrat dhe fytyrën tonë, para syve të shqiptarëve. Kjo luftë e pistë e Lulzim Bashës dhe tredhja që ai i ka bërë Sali Berishës (siç thotë populli, duke “e kapur për koqe”) dhe duke e bërë si lolo, që të heshtë para kësaj që po bën, është një meritë, që gjithë ne kundërshtarët e Berishës duhet t’ia njohim Lulzim Bashës. Ne i kemi bërë boll dëme Sali Berishës, por këtë që po i bën Basha, nuk kemi mundur dot. Dhe shpjegimi sërisht është tek lufta si skuth që bën ky njeri. Siç i bën gjithë gjërat.
(S.SH/Shuplaka)