Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë natës kanë rritur prurjet e lumenjve Drin dhe Mat. Qarku i Lezhës vijon të ketë probleme të shumta pasi aktualisht numërohet dhjetëra hektarë të përmbytura si pasojë e vërshimeve të ujit.
Fryrja e lumenjve ka vënë ne rrezik serioz Urën e Zogut, e cila është fundosur me rreth dy metra. FaxWeb mëson se dëmtime ka pësuar e gjithë struktura e urës, përfshirë dhe harqet.
Pavarësisht se ura rezulton tek monumentet e kulturës pranë Ministrisë së Kulturës, kujdesi ndaj saj është pothuajse zero. Ura është lënë totalisht në mëshirë të fatit dhe për pak kohë ajo mund të shembet e gjitha.
Kujtojmë se edhe gjatë viteve të tjera, sa herë ka reshje shiu ura është bërë objekt “lajmi” në media jo për ndonjë atraksion të veçantë turistik siç duhej të ishte në të vërtetë, por për rrezikun serioz që i kanoset çdo ditë sa herë ka fryrje të lumenjve.
Nijazi Mema/ Faxweb