Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula,para nisjes së seancës plenare, ka protestuar me një mënyrë simbolike para godinës së Parlamentit.
Ai kërkoi më shumë vëmendje për fermerët dhe fshatarët e Shqipërisë, ndaj ftoi politikanët të zbresin nga “makinat e shtrenjta” dhe të shkojnë në terren pranë fshatarëve për t’i ndihmuar të zhvillojnë bujqësinë dhe sektorin e prodhimit
Me një degë ulliri, të cilën e mbante në duar, deputeti tha se askush nuk i ndihmon fermerët që të punojnë për shtimin e prodhimit, ndërsa theksoi se sot një litër vaj ulliri shitet në treg me një çmim qesharak.
“Ka kaq shumë prodhim dhe kjo është mund dhe djersë e fshatarëve. Atje punojnë gjatë gjithë vitit, por problemi fillon duke filluar nga vjelja se nuk ka njerëz se kush t’i vjelë. Sot 1 litër vaj ulliri ke fat nëse e shet me 4 mijë lekë të vjetra. Qeveria nuk u jep asnjë subvencion fermerëve dhe fshatarëve për t’i ndihmuar. Qeveria nuk e di, ndaj ju bëj thirrje të heqin takat dhe të zbresin nga makinat e bukura dhe të shkojnë atje te fshatarët”, tha Sula.
Pas fjalës për mediat, deputeti u fut në seancën e sotme parlamentare me një thes ullinjsh si ‘dhuratë’ për ministren e Financave.