Dëshmitarët thanë se njerëzit u shtypën duke tentuar të dilnin pas përdorimit të gazit lotsjellës gjatë pushtimit të fushës në stadiumin e Nzérékoré.
56 njerëz raportohet se kanë vdekur dhe të tjerë janë plagosur gjatë një shtypjeje tragjike mes njerëzve në stadiumin në veri të Guinesë, njoftonin autoritetet në vendin afrikano-perëndimor.
Stadiumi ‘Stade du 3 Avril’ në Nzérékoré, qyteti i dytë më i madh i vendit, organizonte ndeshjen finale të një turneu futbolli në nder të kreut të juntës ushtarake në pushtet, Mamady Doumbouya, pasditen e të dielës. Zyrtarët thanë se mijëra spektatorë gjendeshin në stadium në kohën e incidentit dhe se mes viktimave kishte dhe fëmijë, por nuk kishin ende shifra të sakta
Dëshmitarët thanë se tifozë të pakënaqur pushtuan fushën në minutën e 82-të të ndeshjes dhe forcat e sigurisë reaguan duke lëshuar gaz lotsjellës. Kjo solli panikun e turmave dhe shtypjen mes njerëzve që shkelnin mbi njëri-tjetrin.
Një dëshmitar tha për agjencinë Reuters: “Në trazirat që erdhën pas gazit lotsjellës njerëzit binin përtokë, gra e fëmijë u shkelën nga turma, ishte e tmerrshme”.
Kryeministri i vendit Bah Oury, dënonte dhunën duke thënë se qeveria do të publikonte të dhënat e plota të tragjedisë sapo të mblidhte informacionet.
Tragjedi në stadiume kanë ndodhur edhe më parë në Guine teksa në 2009, më shumë se 150 njerëz u vranë nga ushtria në Conakry, gjatë protestave kundër diktatorit Dadis Camara, shkruan The Guardian.