Pas 15 viteve që kërkon drejtësi, Zamira Durda nuk dorëzohet duke ndjekur nga afër çdo seancë, ku kërkohen të gjenden fajtorët për vdekjen e djalit të saj vetëm 7 vjeçar.
Gjatë ditës së sotme, ku në ambientet e GJKKO-së u shty sërish seanca për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, Durda ka pasur një debat me gjyqtaren dhe ka kërkuar drejtësi teksa është shprehur se ka 15 vite që endet gjykatave.
“Dua drejtësi për fëmijën tim. Kam 15 vjet që endem dyerve të gjykatave. Fëmija im 7 vjeç nuk i njihte predhat. Fëmija im sot ha bar”, ka thënë ajo.
Në këtë foto të saj të publikuar nga gazetarja Anila Hoxha, lodhja dhe zvarritja e drejtësisë tregohen më së miri në portretin e Zamirës.
Ndërrimi i qeverive, pushteteve, zbardhja e dokumenteve, drejtësia e re dhe e vjetër ende nuk kanë dhënë një vendim që më sa paku do të lehtësonte dhimbjen e 26 viktimave të 15 Marsit 2008, ku shpërtheu depoja e municioneve në Gërdec.
E megjithatë Zamira vetë nuk dorëzohet, është ndër të paktët familjarë të viktimave që i ka rezistuar lodhjes dhe mundimeve shumëvjeçare, duke shpresuar se një ditë, dikush do të mbajë përgjegjësi për një nga ngjarjet më tronditëse në këto 30 vitet e fundit, ku ndërthuret politika, korrupsioni e krimi, në një fshat disa kilometra larg Tiranës.