Fax news ka siguruar foton e Vangjush Dakos në sallën e gjyqit, së bashku me ish-vartësit e tij ku pret të njihet me masën e sigurisë.
Në pamjet që kanë mbërritur në redaksi nga kafazi i hekurt i GJKKO, Dako shihet i qetë, duke komunikuar vazhdimisht me ish-vartësit e tij.
Ish-kryebashkiaku u vetëdorëzua në ambientet e Policisë së Tiranës ditën e martë, pas akuzës për shpërdorim detyre në dy raste.
SPAK kërkoi arrestimin e Vangjush Dakos dhe 9 ish-zyrtarëve të tjerë në Bashkinë e Durrësit për shkak të ndërtimit të kateve shtesë pa leje të një pallati në qytetin e Durrësit në 2010.
Pallati u ndërtua pa leje dhe ishte planifikuar për 7 kate. Ish-kryebashkiaku firmosi lejen e tij në vitin 2014 teksa ishte bërë 11 kate. Gjithashtu studimi sizmologjik ishte bërë për vetëm 7 kate, duke vënë kështu në rrezik jetën e banorëve.
Episodi i dytë lidhet me tenderin e shëtitores së plazhit. Grupi i punës i ngritur nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili kishte detyrë të përcaktonte fondin limit për tenderin, rezulton se ka bërë gabim në llogaritje, duke e dhjetëfishuar vlerën dhe duke i shkaktuar dëm shtetit 18 milionë Lekë.