Teksa Durrësi që drejtoi për 12 vite me radhë është i gjunjëzuar, Vangjush Dako është shfaqur më në fund pranë banorëve që kanë mbetur të pastrehë.
Pasi të gjithë ngritën pikëpyetje mbi vendodhjen e tij, se mbase nga frika e tërmetit do të kishte lënë edhe Durrësin, Dako ka postuar disa foto në Instagram, ku njofton se ndodhet me banorët që janë strehuar pranë palestrës së shkollës Marie Kaçulini.
“Në ambientet e palestrës së shkollës 9-vjeçare Marie Kaçulini dhe në atë të Mjeshtrisë Sportive “Benardina Qerraxhia”, kushtet paraqiten optimale dhe qytetarët gëzojnë shëndet të mirë! Kurajo të gjithëve”, shkruan Dako.
Mbi të ditët e fundit janë hedhur shumë akuza për lejet e ndërtimit të dhëna vend e pavend në qytetin bregdetar, apo për mungesën e kontrolleve në cilësinë e punimeve, e megjithatë tashmë do të duhet shumë kohë për rindërtimin e Durrësit.
IKMT njoftoi sot se shumë pallate pritet që të shemben pasi përbëjnë rrezik për banorët që jetojnë në to, shumica e të cilëve janë vendosur në zonën e plazhit në Durrës, që njihet për nëntokën e saj të brishtë.
Tashmë në Durrës dhe në Thumanë është vendosur gjendja e emergjencës, ndërsa shumë prej banorëve janë të vendosur në hotele private, sa të gjendet një zgjidhje afatgjatë për strehimin e tyre.
(E.K/Faxweb.al)