Të vaksinuarit dhe personat që kanë antitrupa kundër Covidit-19 do të jenë më të privilegjuarit në Francë, ndërsa do të ketë kufizime të reja madje edhe ndëshkime e ndërprerje të pagës, si do të ndodhë brenda sektorit shëndetësor. Ndërkohë në Europë vijon të përhapet varianti Delta i koronavirusit të ri.
Duke nisur nga muaji i ardhshëm, Franca do të kufizojë aksesin në restorante, bare dhe qendra tregtare, për personat që nuk janë vaksinuar ose nuk kanë kryer së fundmi testin e Covidit-19.
Sipas mediave franceze, edhe në udhëtimet e gjata, në parqet rekreative ose në koncerte do të kërkohet certifikata e shëndetit që vërteton gjendjen e personit.
Presidenti Emmanuel Macron tha se për punonjësit e spitaleve, për ata që kujdesen për të moshuarit dhe kanë kontakte me të sëmurët, do të jetë e detyrueshme vaksina anti-Covid, ndryshe personat rrezikojnë të humbasin pagën.
“Do kemi të njëjtën qasje kudo: do dallojmë ata që kryejnë akte qytetarie dhe do i fokusojmë kufizimet te të pavaksinuarit, jo te të gjithë. Nga kjo javë e tutje, kontrollet në kufi do të jenë më të ashpra për shtetasit që vijnë nga vende të rrezikuara prej Covidit, dhe të pavaksinuarit do të izolohen me forcë.”, është shprehur në lidhje me këtë çështje Presidenti Macron.
Ndërsa qeveritë nëpër Evropë inkurajojnë përdorimin e vaksinave për të shmangur një valë të re të pandemisë, infeksionet vazhdojnë të rriten prej variantit Delta të koronavirusit.
Në Britani po regjistrohen 30 mijë raste pozitive përditë por vendi është i vendosur të heqë tërë masat kufizuese anti-Covid nga data 19 korrik, me gjithë udhëzimin kundër të shkencëtarëve.
Italia, ndërkaq, po mendon të rikthejë masat e vjetra siç është karantina për personat e huaj.
Portugalia dhe Spanja konsiderohen në shumicën e tyre zona të kuqe prej Covidit-19, edhe më keq situata paraqitet në Qipro ndërsa hapësira ekonomike europiane është në pjesën më të madhe me ngjyrë të gjelbër, me përjashtim të disa zonave në Vendet e Ulëta, Irlandë, në disa ishuj grekë, Norvegji dhe Zvicër.