Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të enjten “mbështetjen e palëkundur” të vendit të tij për Moldavinë ndërsa tensionet rriten midis Kishinevit dhe separatistëve pro-rusë.
“Franca rithekson mbështetjen e saj të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Moldavisë brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, tha ai në një deklaratë të përbashkët me Presidenten moldave Maia Sandu teksa ajo vizitoi Parisin.
Dy vjet pas pushtimit të Rusisë në Ukrainën fqinje, Moldavia përballet me sfida të shumta të shkaktuara nga konflikti në kufijtë e saj. Në krye të listës është rajoni pro-rus i Transnistrisë, ku zyrtarët javën e kaluar i bënë thirrje Moskës për “mbrojtje”. Ekziston shqetësimi në rritje se territori mund të bëhet një pikë e re në konflikt, me Moldavinë që “përballet me sulme hibride në rritje”, thanë të dy presidentët.
Takimi i së enjtes midis Macron dhe Sandu do të përfshijë nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse Kishinau-Paris, si dhe një “udhërrëfyes ekonomik”.
“Shteti moldav duhet të jetë në gjendje të mbrojë neutralitetin e tij, të mbrojë territorin dhe popullsinë e tij dhe të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, thanë ata në deklaratën e tyre.
Macron dhe Sandu thanë se Parisi po “mbështeste plotësisht” reformat e Moldavisë që synonin një ditë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, përpara një referendumi atje më vonë këtë vit.
“Reforma në drejtësi dhe beteja kundër korrupsionit do të ishin veçanërisht të rëndësishme për një ofertë të suksesshme për anëtarësim”, shtuan ata.