Kërkesat e shumta për azil nga Shqipëria ka vënë në alarm shtetin francez, konkretisht Ministrinë e Brendshme të Francës, e cila drejtohet nga Gerard Collomb.
Sipas “Panorama” ministri i Brendshëm Collomb i ka shprehur Kryeministrit Edi Rama nëpërmjet një bisede telefonike shqetësimin për rritjen lartë me 75% të azilkërkuesve në Francë.
Po ashtu dhe këtë çështje ai e ka diskutuar kokë më kokë dje me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Shteti francez ka kërkuar që të merren masa për të frenuar kërkesat e shumta të shqiptarëve për të përfituar statusin e refugjatit.
Ministri i Brendshëm Collomb ka bërë të qartë në këtë takim se shqiptarët nuk mund të jenë përfitues të statusit të azilit, pasi Shqipëria është klasifikuar si vend i sigurt i origjinës.
Por sipas ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushatit, do të merren masa serioze që brenda 3 muajsh t’i jepet fund fenomenit të azilkërkuesve.
Këtë fakt e kanë bërë të ditur mediet franceze, po ashtu dhe njoftimi i publikuar nga Ministria e Brendshme Franceze, ndërkohë që Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk ka publikuar asgjë rreth këtij takimi.
Ministria e Brendshme Franceze ka deklaruar se 7432 shqiptarë kanë kërkuar të fitojnë statusin e refugjatit vetëm në vitin 2016. Ndërkohë që ministri i Brendshëm, Gerard Collomb, ka thënë për AFP-në se në vitin 2017 këto kërkesa sa vijnë dhe dyfishohen.
QËNDRIMI
Ministria e Brendshme Franceze ka publikuar dje një njoftim pas takimit me Ditmir Bushatin, i cili shoqërohej nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
“Ministrat kanë rënë dakord se numri i qytetarëve shqiptarë, të cilët kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin për në territorin francez, ku nuk mungojnë dhe të mitur të pashoqëruar është rritur në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit. Pjesa më e madhe e kapaciteteve pritëse për emigrantët në Francë sot për sot është e zënë nga shtetas shqiptarë, të cilët kërkojnë të përfitojnë statusin e refugjatit, por pjesa më e madhe e tyre nuk mund ta fitojnë këtë status të azilkërkuesit dhe nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Brendshme Franceze.
Në takimin me ministrin e Brendshëm, zyrtarët e lartë kanë prezantuar një plan aksioni, i cili parashikon forcimin e kufijve, kontrollin e nisjeve në Francë dhe në vendet e tjera të Europës, në mënyrë që të luftohet emigrimi i paligjshëm, i cili synon të përfitojë padrejtësisht statusin e refugjatit.
“Ministri Gerard Collomb pranoi impenjimin e Kryeministrit shqiptar, z. Edi Rama dhe Qeverisë së tij për të reaguar me vendosmëri për të përballuar problemet e azilkërkuesve, për të garantuar rezultate brenda tre muajsh”, thekson njoftimi për shtyp i Ministrisë së Brendshme.
Gjatë takimit “ministri i Jashtëm shqiptar ka propozuar që të forcohet bashkëpunimi mes Policisë shqiptare dhe asaj franceze, ku të parashikohet forcimi i mbështetjes së Policisë kufitare me Shqipërinë”.
Gjatë takimit është vendosur që pas tre muajsh në Shqipëri do të zhvillohet një takim ku do të behët vlerësimi dhe analizimi i masave që ka marrë shtetit shqiptar për të reduktuar numrin a azilantëve në Francë.