Teksa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën Fredi Beleri ndodhet në burg për akuzën e shitblerjes së votës, kreu i PBDNJ Vangjel Dule ka mbajtur një takim përmbyllës atje.
Përpara qytetarëve, ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që te heqë duart nga Himara dhe nga Beleri. Sakaq shtoi se të hënën Beleri do të jetë kryetar i bashkisë Himarë.
“Larg duart nga Himara dhe nga Beleri Edi Rama, pazarxhiu akuzon Fredin për blerje votash? Ndërkohë akuzon se kapën në flagrancë kur Fredi ishte me avokatin dhe kushëririn e tij. Kë bleu Fredi? Avokatin apo kushëririn?
Deklaratat e asnjë Himarjoti nuk akuzojnë Fredin.
Mos guxoni të prekni votën të dielën. Ato duar që do guxojnë do mbeten në kutitë e votimit.
Beleri të hënën është kryetar Bashkie”- u shpreh Dule teksa fjalët e tij u shoqëruan me ovacione nga publiku.