Kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje të enjten Izraelit të lejojë ndihmën humanitare në Gaza, pas paralajmërimeve të OKB-së për një zi buke që po afrohet në enklavën palestineze të shkatërruar nga lufta.
“Jemi shumë të shqetësuar për situatën në Rripin e Gazës dhe gjithashtu për intensifikimin e operacioneve ushtarake të ushtrisë izraelite atje”, u tha Merz gazetarëve gjatë vizitës së tij në Lituani.
“Ne po kërkojmë, mbi të gjitha, që ndihma humanitare të arrijë më në fund në Rripin e Gazës pa vonesë, dhe gjithashtu të arrijë tek njerëzit atje, sepse, siç dëgjojmë nga Kombet e Bashkuara, tani ekziston një kërcënim real për uri”, theksoi ai.
Merz tha se autoritetet izraelite duhet të lejojnë shpërndarjen e ndihmës humanitare “gjithëpërfshirëse dhe vërtet të qëndrueshme” në Rripin e Gazës për të lehtësuar vuajtjet e civilëve palestinezë.
I pyetur në lidhje me vrasjen e dy anëtarëve të stafit të Ambasadës Izraelite në Uashington, Merz tha se ata ishin në dijeni të raporteve se një viktimë mund të ketë pasur shtetësi të dyfishtë dhe shtetësi gjermane. “Pavarësisht kësaj, ne e dënojmë atë në termat më të forta të mundshme”, shtoi ai.