Rreth 700 persona në veriun e Shqipërisë, kryesisht në zonën e Shkodrës nuk mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Ata nuk mund të shkojnë tek kutia e votimit nga frika se hasmi mund t’i vrasë. Si rrjedhojë janë të privuar nga e drejta e tyre për shkak të fenomenit të gjakmarrjes që vijon të jetë prezent”.
Kështu tha dje për “Gazeta Shqiptare” kreu i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve, Nikollë Shullani. Sipas tij, personat që privohen nga e drejta e votës janë nga Tropoja, Puka, Lezha, Mirdita, Malësi e Madhe dhe më së shumti nga Shkodra.
“Këta persona kanë frikë që të kalojnë pragun e derës nga frika se gjaksi mund t’i vrasë, ndaj në këtë mënyrë nuk mund të dalin për të ushtruar të drejtën e tyre. Normalisht që ata kanë dëshirë që të votojnë si të gjithë qytetarët e tjerë të lirë të Shqipërisë, por nuk mund ta plotësojnë dëshirën e tyre, sepse rrezikojnë të vriten. Unë jam në komunikim të vazhdueshëm dhe thuajse të përditshëm me këto familje”, tha kreu i Pajtimit të Gjaqeve.
(M.D/Shuplaka)