Ministria e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes së Qytetarëve u ka bërë thirrje shtetasve grekëve që kanë shkruar në fshatin Bularat për të marrë pjesë në varrimin e ekstremistit grek Konstantinos Kaçifas që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe respekt.
“Shtetasit grekë që shkojnë në Bularat janë të lutur që të vetëpërmbahen dhe të tregojnë respekt për familjen dhe ceremoninë”, thuhet në deklaratën e shkurtër të Ministrisë. Kjo thirrje bëhet në një kohë kur ka frikë për ndonjë përplasje të mundshme, për shkak se disa persona të dyshimtë kanë hyrë në fshatin Bularat.
Dy persona janë shoqëruar për t’u proceduar në polici për nxitje të urrejtjes mes kombeve dhe feve, ndërsa 10 persona të tjerë nuk janë lejuar që të hyjnë në Kakavijë, pasi kanë qenë të veshur me bluza me simbolin e Agimit të Artë.
Ndërkohë që gazetari i Fax News Sokol Dema, i cili ndodhet në fshatin Bularat raporton se qendra e fshatit është e mbushur plot me flamuj, ndërsa nuk mungojnë as simbolet nacionaliste.
Policia e shtetit ka ngritur disa pika kontrolli mes zonës së Kakavijës dhe Bularatit për të shmangur çdo incident të mundshëm.
(E.K/FAXWEB.AL)