Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi në një deklaratë për mediat njoftoi anullimin e seancës që do të zhvillohej nesër në Parlament, për shkak të protestës së thirrur nga opozita.
“Duke pasur parasysh informacionet dhe ruajtjen e integritetit të deputetëve të Kuvendit. Të më mirëkuptojnë për të mos zhvilluar seancën parlamentare më datë 21 shkurt 2019. Nuk gjykoj të udhës që një pjesë e deputetëve të jenë brenda sallës dhe një pjesë jashtë saj.”- u shpreh Ruçi.
Gjatë fjalës së tij Ruçi tha se protesta e opozitës dhe dhuna e ushtruar dëmtuan rëndë imazhin e Shqipërisë. Sipas tij opozita duhet të jetë në parlament, pasi është e paprecdentë që opozita të kërkojë pushtetin në tavolinë.
“Jemi të gjithë dëshmitarë të një momenti të acarimit politik që javët e fundit i ka kushtuar shumë vendit. Pamjet e dhunshme bënë xhiron e botës. Kush nuk na do të mirën si vend, fërkoi duart. Kush na ka mbështetur dhe na mbështet padyshim është ndjerë keq. Ndërsa kush ka bërë plane për të kaluar pushimet në verën që vijnë në Shqipëri janë stepur. Ato pamje nuk janë favorizuese as për investitorët as konsumatorët. Janë për tu përshëndetur qytetarët që treguan vetëpërmbajtje. Institucionet i mbrojtën, i falënderoj, kam falënderuar ministrin e Brendshëm sepse ka bërë diferencën e madh e mes protestës së javës së shkuar dhe asaj të disa viteve më parë që u kthye në tragjedi kombëtare.”, tha Ruçi.
Ruçi ka shkuar më tej se skenari i djegies së mandateve është vetëvrasje politike.
“Pamjet e dhunës kanë një ndikim të dëmshëm për anëtarësimin në BE. Por që negociatat të vihen në pikëpyetje për rrethanat dhe qëndrimet brenda vendit kjo është e papranueshme. Më vjen keq që partneret ndërkombëtare janë detyruar të mbajnë qëndrime të forta. Si kryetari i Kuvendit dhe jo si deputet jam jashtëzakonisht i shqetësuar për këtë situatë. Nuk do të doja kurrë realizimin e skenarit të paralajmëruar nga opozita sepse një opozitë që vetëvritet politikisht i bëjnë vendit një dëm të madh. Mesazhet e djeshme të SHBA dhe be më kanë lënë një shije të papëlqyeshme. Një veprim i tillë dëmton rëndë tërë mjedisin tonë dhe raportet e të tjerëve në këtë mjedis. Ky është një lloj kamikazllëku. Ultimatumet nuk janë demokratike. Pushteti nuk merret në tavolinë. Prej pesë vite e gjysmë gëzon sot atë që maxhoranca kur ishte në opozitë e kërkojë e nuk e mori dot, kohën e barabartë të të folurit.”, tha ai.
(M.Q/Faxweb.al)