Komuniteti ndërkombëtar mbetet i fokusuar te Arabia Saudite, pasi “takimi kritik” pritet të zhvillohet në ditët e para të javës, sipas analistëve, mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas, me qëllim arritjen e paqes.
Edhe pse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, nuk do të marrë pjesë aktive në delegacionin e vendit të tij në negociata, ai megjithatë do të udhëtojë në Arabinë Saudite, duke qëndruarplotësisht i përkushtuar” në dialogun me SHBA.
Siç deklaroi dje presidenti i vendit, ai është i përkushtuar për të pasur një dialog konstruktiv me përfaqësuesit e SHBA në Arabinë Saudite, për mënyrat për t’i dhënë fund luftës, në vazhdën e vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Ukraina ka kërkuar paqe që në sekondën e parë të kësaj lufte. Propozimet reale janë në tryezë. “Çelësi është të lëvizësh shpejt dhe me efektivitet,” komentoi Zelensky në një postim në X, duke thënë se do të vizitojë Arabinë Saudite. Takimi është nesër me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.
Kush do ta përfaqësojë palën amerikane?
Sidoqoftë, delegacioni ukrainas do të udhëtojë në Arabinë Saudite për t’u ulur në të njëjtën tryezë bisedimesh me delegacionin amerikan, i cili thuhet se përfshin të dërguarin e presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Walz, ndërsa Presidenti i SHBA Donald Trump përshkallëzon presionin ndaj Volodymyr Zelensky për të përshpejtuar procesin e paqes.
Kujtojmë se tensionet mes tyre arritën kulmin gjatë një takimi mes Presidentëve të SHBA-së dhe Ukrainës në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë më 28 shkurt, duke qenë se Zelensky kishte vizituar SHBA-në për të nënshkruar një marrëveshje për burimet minerale dhe natyrore me Presidentin Trump.
Mirëpo, pas asaj që ndodhi para kamerave mes presidentit dhe zv/presidentit amerikan dhe presidentit ukrainas, ky i fundit u largua pa u nënshkruar asnjë marrëveshje.
Kjo u pasua nga ndërprerja e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, duke rezultuar në humbje të konsiderueshme të trupave në vijat e frontit.
Sipas vlerësimeve, humbjet ishin veçanërisht të rënda në rajonin e Kurskut, të cilin Ukraina e ka pushtuar që nga gushti 2024, ku dhjetë mijë ushtarë tani përballen me mundësinë e rrethimit nga forcat ruse.
Megjithatë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Mike Walz, argumentoi më 5 mars se Presidenti Trump mund të heqë pezullimin e ndihmës ushtarake pasi të zgjidhen negociatat e paqes dhe të merren masat e ndërtimit të besimit /Reuters