Fshati Drenova Mal në Mallakastër, prej shumë vitesh tashmë, vuan nga problemi i mos furnizimit me ujë të pijshëm. Kamera e ‘Fax News’ ishte në këtë fshat, që duhet thënë se është mjaft i bukur dhe me pasuri të shumta natyrore, por që ka problemin e madhe që prej 35 viteve nuk ka ujë të pijshëm.
Banorët e zonës shprehen tepër të zhgënjyer me këtë situatë, pasi prej vitesh sipas tyre, pushtetarët vijnë sa herë që ka zgjedhje, i premtojnë ujë të pijshëm, por pasi marrin votën largohen dhe nuk kthehen më.
“Shteti na ka braktisur. Këtu prej kohësh nuk ka pasur dhe nuk ka ujë. Ne e blejmë ujin 10 kuintalë 10 mijë lekë, pasi burimin e kemi 5 kilometra larg që nga fshati dhe e vetmja mënyrë që kemi për ta sjellë këtu janë kafshët e punës, por aq sa arrijmë të marrim, dhe atë e përdorim për larjen e enëve dhe për konsumim vetjak, por kjo nuk është zgjidhje për ne. Pushtetarët vijnë çdo katër vjet tek ne, por kur të kthehen herën tjetër, do ti marrim ti rrahim.”, u shpreh ndër të tjera një nga banorët.
Ai vijoi më tej duke thënë se brezat e rinj po e braktisin fshatin, jo se nuk kanë punë apo se nuk kanë mundësi për të jetuar, por po ikin vetëm prej mungesës së ujit.
“Brezat e rinj po ikin, jo se nuk ka punë këtu, por sepse nuk ka ujë. Këtu vidhen paratë, ndërsa ujin për të pirë nuk na e sjellin në shtëpi. Është bërë një depo, por uji nuk vjen tek ne për arsye se nuk kanë shtrirë tubat dhe e gjithë problemi qëndron në Ballsh, pasi i marrin fondet dhe i çojnë atje, për arsye se pushtetarët janë nga Ballshi. Kanë 30 vjet që e bëjnë këtë gjë. S’kemi më besim tek ta.”, tha ai.