KPA ka lënë në fuqi vendimin e KPK për të shkarkuar nga detyra gjyqtarin Çlirim Shahini pasi nuk arriti të justifikonte pasurinë e tij.
Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, e përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Ardian Hajdari, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtarë, shpalli vendimin për lënien në fuqi të vendimit nr. 124, datë 26.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Çlirim Shahini.
Problemet me pasurinë:
Pavarësisht se Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI e ka konstatuar të saktë dhe në përputhje me ligjin deklarimin e pasurisë nga ana e prokurorit Shahini, KPK e ka gjetur të pamjaftueshëm e të rremë.
Hetimi kryesisht u fokusua në një ndërtesë me sipërfaqe 387 m2 të ndërtuar mbi një objekt ekzistues tre katësh në pronësi të shteasit D.(M.)R., në Sarandë. Ndërtimi, 2 kate plus papafingo, ishte pasqyruar në deklaratën vetting me burim krijimi të ardhura familjare dhe huadhënie.
Komisioni krijoi dyshime dhe hetoi kryesisht marrëdhënien e krijuar midis prokurorit Shahini, shoqërisë ndërtuese dhe shtetasit D.R., i cili është pronari i tokës dhe ndërtesës ekzistuese. Ky i fundit rezultonte që jo vetëm i kishte falur Shahinit sipërfaqen për të ndërtuar, por edhe e kishte strehuar atë dhe nënën e tij pa pagesë për 12 vjet.
“Më ka dhënë një apartament dhe në tjetrin jetonte vetë. Pas disa vitesh, duke qenë se kati i tij përdhes rrinte bosh, i kam kërkuar të jetonte nëna ime, fakt të cilin e ka pranuar dhe ka lejuar që nëna të jetonte në një garsonere me sippërfaqe 30 m2 për disa vjet”, ka deklaruar prokurori Shahini para Komisionit. Ai ka shtuar se në vitin 2011, i ka kërkuar këtij personi ta lejonte të ndërtonte në tokën e tij dhe se D.R. së bashku me familjarët e tij e kanë mirëpritur këtë propozim.
KPK gjeti se D.R. nuk kishte në fakt mundësi për të bërë ndërtimin. Komisioni po ashtu i gjeti pohimet e Shahinit si deklarative dhe “të pa mbështetura në prova”.
Komisioni po ashtu në vendimin e zbardhur bën me dije se nga hetimi administrativ rezultoi që ndryshe nga sa deklarohej nga subjekti i rivlerësimit, e gjithë godina e ndërtuar nga ai dhe D.R. përdorej si hotel.
“Nga fotot e publikuara në internet, të cilat janë shkarkuar dhe janë bërë pjesë e dosjes së hetimit administrativ, rezulton se dhomat janë të mobiluara dhe në gjendje shumë të mirë. Fotot e pasqyruara në disa ëebsite të dhënies me qira të njësive akomoduese për sezonin e verës promovojnë të gjithë ndërtesën, edhe katin e fundit të kësaj ndërtese si njësi akomodimi, duke e emërtuar ‘penthouse’, i cili është i mobiluar në mënyrë moderne dhe është funksional”, thuhet në vendimin e KPK-së.
Sipas Komisionit Shahini solli foto të tjera, që nuk ishin të qarta dhe që nuk tregonin në fakt situatën e godinës. Komisioni vuri në dukje se përdorimi i ndërtesës si hotel “nuk ishte deklaruar asnjëherë”.
Komisioni ka gjetur se ky aktivitet nuk rezulton i regjistruar pranë QKB-së, duke e vënë prokurorin Shahini edhe në kushtet e fshehjes së një aktiviteti tregtar, për të cilin lindin edhe detyrime tatimore.
Komisioni ka gjetur se subjekti i rivlerësimit “ka bërë deklarim të rremë në deklaratën vetting, edhe gjatë hetimit administrativ, në lidhje me apartamentet në pronësi të tij pasi nuk ka deklaruar se ato kanë destinimin të përdoren si njësi akomoduese”.
KPK po ashtu vuri në dyshim kohën e ndërtimit të godinës. Në fund të hetimit dhe analizës ligjore, trupi gjykues arriti në përfundimin se ndërtesa në pronësi të prokurorit Shahini ka qenë e përfunduar që në vitin 2013 dh ejo më vonë siç pretendoi prokurori i shkarkuar. Sipas komisionit prokurori Shahini ka kryer deklarim të rremë në deklaratën vetting dhe gjatë hetimit administrativ, si dhe në deklaratat e interesave private të vitit 2011-2013, në lidhje me kohën e ndërtimit të kësaj banese.
Gjithashtu, në vendim thuhet se prokurori Shahini ka ndërmarrë veprime fiktive, me qëllim fshehjen e ndërtimit të kësaj banese gjatë viteve 2011–2013 dhe se shpjegimet e tij nuk arritën të provojnë të kundërtën. Gjithashtu identifikohet gjetja se prokurori Shahini ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për vlerësimin e pasurisë
Probleme janë identifikuar edhe lidhur me një hua në vlerën e 2.7 milionë lekëve të padeklaruar nga prokurori Shahini. Sipas komisionit, ai nuk ka pasqyruar si burim të krijimit të kësaj shtëpie huan e marrë prej shoqërisë ndërtuese në vlerën e 2.7 milionë lekëve.
Ndërkohë hetimet, pas denoncimit të një personi djali i të cilit ishte plagosur në një përplasje me armë, zbuluan se çështja penale ishte pushuar pa kryer hetime të plota dhe duke i vonuar ato pa arsye.
Komisioni gjeti se një sërë veprimesh hetimore ishin lënë pa kryer përfshi eksperimentimin e njërës prej armëve me të cilën ishte kryer qitje. “Rezulton se prokurori Shahini nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor për të evidentuar se kush ka shtënë me armën e dytë dhe se kujt i përket kjo armë”, thuhet në vendim.
Ndërkohë sipas Komisionit, prokurori i shkarkuar ka zgjatur dy herë afatet e hetimit pa arsye dhe ndërkohë nga ana e tij nuk ishte dërguar kërkesa për ekspertim mjeko-ligjor. Sipas KPK-së në 30 janar 2013 prokurori Shahini ka vendosur pushimin e hetimeve të çështjes në fjalë pasi të dy veprat penale për të cilin akuzohej “plagosjes së rëndë nga pakujdesia” dhe “prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” parashikuar nga nenet 91 dhe 280 ishin të përjashtuara nga ndjekja penale për shkak të amnistisë në vitin 2012.
Trupa gjykuese konstaton se Shahini nuk dha asnjë argument se përse i ka shtyrë dy herë afatet e hetimit me motivacionin si ishte në pritje të aktit të ekspertimit mjekoligjor, pa nxjerrë më parë vendimin për ekspertimin mjekoligjor.(A.M/Faxweb.al)