Alibeaj i është përgjigjur deklaratës të ish-kryeministrit Sali Berisha, lidhur me akuzat për vëllain e këtij të fundit. Berisha është shprehur se Alibeaj ka fshehur vëllain e tij kriminel, dhe se ai ndan të fshehtat me Edi Ramën. Berisha ka deklaruar se Alibeaj mbahet peng nga Rama sepse sipas tij me të gjithë këtë rekord kriminal, Alibeaj nuk mund të ishte deputet dhe as bashkëjetuesja e tij nuk do të zgjidhej në gjykatë. Në një reagim në rrjete sociale, Alibeaj thotë se akuzat e ish-kryeministrit janë një refren i njohur në politikën shqiptare dhe se sipas tij akuzat ndaj familjarëve janë një rrjedhojë e shkollës politike të komunizmit që për dhjetëra vite persekutuan shqiptarët.
Alibeaj: Akuzat dhe shpifjet në gojën e Sali Berishës, janë refren i njohur në politikën shqiptare. Vazhdoj ti mbetem bindjes se një gjuhë e tillë meriton përçmimin dhe neverinë që tashmë shqiptarët dinë tja japin politikës së vjetëruar. Ajo që Sali Berisha e quan bashkëpunim për ligjin e dosjeve, është thëngjilli që i djeg ish-komunistëve dhe ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, që për vite me rradhë përdoren PD-në dhe të djathtën si mburojë të tyren. Akuzat ndaj familjarëve, janë pikërisht rrjedhojë e shkollës politike të komunizmit dhe biografive, që për dhjetra vite persekutuan shqiptarët. Ligji për dosjet dhe lustracionin janë domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare. Është mënyra për të rivleresuar të shkuarën, për të ndërtuar të ardhmen pa pengjet e një të kaluare që i ka shkaktuar dëme të mëdha shoqërisë sonë.