SPAK ka zbardhur detaje të reja nga dosja hetimore ndaj ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja. Prokuroria e Posaçme nga zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin e krimit, Sky Ecc ka zbuluar se Çyrbja njoftonte personat në kërkim ndërkombëtar t’i fshiheshin autoriteteve ligjzbatuese. Sipas SPAK, Çyrbja ka nxjerrë të dhënat sekrete duke iu ardhur në ndihmë grupeve kriminale që t’i shpëtonin drejtësisë. SPAK ka evidentuar komunikimet në Sky mes Çyrbjes dhe “të fortit” të Shijakut, Altin Hajri të cilin e njoftonte për operacionit që zhvilloheshin për arrestimin e tij.
Pjesë nga dosja e SPAK
I hetuari J.Ç., për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Nga ana tjetër personi nën hetim A. H., në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga i hetuari J.Ç., i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votuesë në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Discussion about this post