Policia ka arrestuar një elektriçist dhe një abonente për shkak se kanë abuzuar dhe manipuluar me energjinë elektrike.
Elektriçisti Boris Tola, akuzohet se më 10 shtator, pas dakordësisë me abonenten, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, hoqi matësin nga boksi dhe fshiu kilovatët e konsumuar. Si rezultat, OSHEE e ka kallëzuar në polici pranë sektorit të krimit ekonomik.
“Ne polici është proceduar edhe abonentja, si bashkëpunëtore në krim, ku rezulton debitor ndaj OSHEE prej disa muajsh. Rasti u zbulua sot gjatë kontrollit në zonën “Rruga Fortuzi”, Tiranë. Gjatë marrjes në pyetje, palët e kanë pranuar veprimin e jashtëligjshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kujtojmë se 3 muajt e fundit, vetëm në Tiranë, janë regjistruar mbi 60 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. (D.D/Shuplaka)