Nga oborri i selisë blu, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur ftesës së hapur të kryeministrit Edi Rama për uljen në tavolinë të të gjithë aktorëve politik, në kuadër të realizimit të Reformës Zgjedhore.
Basha tha se Rama nuk mund të fshihet pas fletë-rrufeve, por të pranojë krizën e thellë politike në të cilën ndodhet vendi, duke argumentuar se zgjidhja e saj nuk mund të vijë përmes kësaj reforme, por përmes vullnetit politik.
Ai nuk la pa akuzuar tërthorazi kryeministrin se nuk e ka një vullnet të tillë, duke e quajtur letrën e Ramës si një tallje publike.
“Raporti i OSBE/ODHIR është i qartë. Korrniza ligjore është e plotë por mungon vullneti politik, pra nuk është reforma zgjedhore zgjidhja e krizës politike. Nuk mund të zgjidhet përmes letër-rrufeve. Nuk mund të zgjidhet përmes Damian Gjiknurit që është i kapur në përgjime. Nuk mund të fshihemi pas letrave dhe kërkesave të pa sinqerta dhe provokimeve të rënda, ftesës nga një individ, i dyshuar kryesor për dosjen 184. Nëse ideja për Kodin Zgjedhor përfshin Gjiknurin, të ftojnë Avdylajt, Shullazin, Ymer Lalën dhe të tjerë se kjo është një tallje. Kjo është një tallje publike. Duhet të krijohen mekanizmat që kurrë më një njeri i vetëm ta shndërrojë Shqipërinë në këtë mënyrë.
Reforma zgjedhore ka rëndësinë e saj. Letrat e hapura, provokime të tilla tregojnë mungesën e këtij vullneti politik. Së pari duhet pranimi i situatës në vend dhe largimi nga krimi i organizuar. Ne e mbështesim plotësisht një reformë zgjedhore të plotë dhe një reformë të thellë politike që do ta kthejë politikanin në shërbëtor të popullit. Ne i kemi dhënë një përgjigje përfaqësuesve ndërkombëtar dhe fatkeqësisht një përgjigje negative ka dhënë Edi Rama që ka thënë se do të përgjigjet pas zgjedhjeve të 30 Qershorit. Pres nga OSBE në Tiranë të shprehet për tre kryebashkiakët, për raportin final të OSBE/ODHIR-it, të cilat nuk kanë ardhur ende”, tha Basha.
(F.GJ/FAXWEB.AL)