Akademiku Artan Fuga, pas replikave që ka patur me gazetarin e ”Mapo”-s Vladimir Karajn dhe botuesin Henri Çili, lidhur me pretendimet e tyre se tashmë profesori është politizuar, i nxjerr sot të palarat Çilit.
Sipërmarrësi tani është rreshtuar në mesin e atyre që mbështesin kryeministrin Edi Rama për një mandat të dytë, por Fuga që ka mbështetur me mendimet e tij këto ditë protestën e opozitës, tregon se kur Çili mbështeste Bashën i vinte atij në dispozicion gjithçka.
”Universiteti Europian i Tiranës, që sot ka këtë mapon e papolitizuar, atëhere vinte në dispozicion të fushatës të zotit Lulzim Basha salla, karrike, studentë, madje edhe pedagogë. Henri atëhere mobilizonte prapa një nisme gjoja “Inisiativa për Tiranën” intelektualë që t’a mbështesnin zotin Basha.”, rrëfen Fuga.
SHKRIMI I PLOTË:
Kujtime të mia nga universiteti europian i Tiranës
Shkrimi nga gazetari Vladimir Karaj, dje në mapo, media ngjitur me universitetin europian të Tiranës, me pronar Henrin, më solli shumë kujtime nga koha, nja gjashtë a shtatë vite më parë kur jepja ndonjë kurs leksionesh atje, dhe me këshilla e sugjerime përpiqesha të ndikoja të formatohej si duhej që kjo shkollë të ishte sipas meje, jo sikurse është.
Dhe më lindi ideja që ndonëse unë dua ta harroj atë histori të shkuar, një dështim për mua, sa herë mapua ose individë të tjerë atje të kenë dëshirën për t’u marrë me mua, shtyrë nga pasione që unë ua di burimin, të keqpërdorur, po të më ndodhin reminishenca, do t’ja tregoj këto publikut në formë kujtimesh.
Tani të gjithë rrëfejnë histori nga jeta e tyre, pse mos tregoj edhe unë ndonjëherë, sipas rastit!
Dhe m’u kujtua se shkrimi i mapos nënshkruar nga Vladimir Karaj më sulmonte, mbështetur nga karikatura shumë miqësore e karikaturistit të talentuar, aktori i njohur, specialisti i dizajnit zoti Bujar Kapexhiu, se kam humbur pavarësinë dhe shfaq politizime të anëshme.
Si duket më kanë harruar – thashë me vete.
Më kujtohet viti 2011.
Në Universitetin Europian të Tiranës vendosej gjithçka në dispozicion të kandidimit dhe të fushatës elektorale të Lulzim Bashës për postin e kryetarit të bashkisë të Tiranës. Përballë tij ishte Edi Rama që në atë kohë ishte tashmë kryetar bashkie dhe përpiqej ta mbante atë post.
Ë mo ju kujtohet apo jo?
Po, mo po; Lulzim Basha i sotëm dhe Edi Rama i sotëm.
Universiteti Europian i Tiranës, që sot ka këtë mapon e papolitizuar, atëhere vinte në dispozicion të fushatës të zotit Lulzim Basha salla, karrike, studentë, madje edhe pedagogë. Henri atëhere mobilizonte prapa një nisme gjoja “Inisiativa për Tiranën” intelektualë që t’a mbështesnin zotin Basha.
Ju kujtohet? Shkruante shtypi pranë zotit Rama atëhere.
Në takimet që bëheshin lihej edhe një karrige për zotin Rama, krejt në mënyrë provokative, sipas meje, ku ai duhej të vinte të dëgjonte intelektualët e “Inisiativës për Tiranën”, mbështetës de facto të zotit Basha, të moderuar nga stafi i tij, që sigurisht dhe në mënyrë të natyrshme bënte fushatën e vet elektorale, partiake, personale, si kudo, që ta vendosnin pra këtë kandidatin tjetër, Edi Ramën, për shpatulla për muri.
Nga organizuesi i këtyre takimeve në Universitetin Europian të Tiranës kisha goxha presion të fortë që edhe unë të bëja pjesë si në Iniciativën për Tiranën, gjoja intelektuale dhe e pavarur, ashtu edhe të flisja në takimet elektorale të asaj kohe.
Përndryshe më thoshte ai atëhere do të isha indiferent, neutral, nuk do të luaja rolin tim si intelektual që duhet të angazhohet në politikë, etj.
Nuk pranova dhe iu thashë hapur, sinqerisht, fort : Jo!
Ka plot dëshmitarë për këtë.
Jo se kisha gjë kundër Lulzim Bashës. Ai për mua gjithmonë ka qenë dhe mbetet një politikan, intelektual, dhe njeri që sipas meje i ka të rrallë shokët në Shqipëri, në të gjitha anët e politikës shqiptare, por kisha arsye të tjera për të refuzuar.
E para, nuk isha dakord që universiteti europian i Tiranës si institucion dhe agjenci e depolitizuar të angazhohej qoftë edhe nën zë ose me salla a të tjera në një fushatë politike, elektorale.
E dyta, sepse grupimi “Inciativa për Tiranën, megjithëse atje bënin pjesë intelektualë të nderuar, nuk ishte në thelb si iniciativë qytetare, por si mbështetje elektorale e zotit Basha. Moderohej nga stafi i këtij të fundit. Ky fakt mjafton ta vërtetoj.
E treta, ndonëse nuk kam pasur kurrë kontakte me Edi Ramën sakohë që ai ishte dhe është në politikë, nuk më dukej korrekte t’i ngrihej atij apo kujtdo tjetër një rreng atëhere duke e ftuar të merrte pjesë a të ndodhej në mjedise para “gjykatësve” që në prapavijë e në të vërtetë asokohe ishin mbështetës dhe pranonin të moderoheshin nga stafi elektoral i zotit Basha.
Ishte një rreng i ulët Vladimir Karaj, por ti mbase nuk e di sepse atë kohë ti punoje në vend tjetër dhe për të tjerë njerëz. Si i pavarur sigurisht. Si Henri atëhere dhe tani!
Ja këto kujtime m’u ngjallën dhe thashë përse të mos nis t’i tregoj sa herë mapua që andej nga bregu i Lanës do të më ngjalle reminishenca!
Jo për t’u lavdëruar, aspak, nuk kam bërë asgjë, por për të treguar se pavarësia ime politike nuk nis sot.
Por, disave duhet t’ua kujtosh. Dhe unë nuk do të përtoj t’i ekzorcizoj të gjitha kujtimet e mia pak e nga pak nëse më jepet rasti sigurisht.” (V.G/SHUPLAKA)