Përdorimi i të rinjve nëpër fushatat elektorale është një fenomen vërtet shqetësues në vendin tonë. Duke iu referuar një diskutimi me studentët e tij, akademiku Fuga është ndalur gjatë në këtë çështje.
Për Fugën është e papranueshme që të rinjtë e forumeve rinore të favorizohen në provime ose ca më keq të rinjtë që të gjejnë një vend pune duhet ta mbajnë shpresën te partitë.
Në komente ka reaguar edhe ish-Ministri i Drejtësisë Manjani ku thotë se njerëzve iu mbetet vetëm të ikin.
SHKRIMI I PLOTË I FUGËS:
Mos keqpërdorni rininë si mish për top elektoral !
Një profesor është gati si një prift në kuptimin që studentët, rinia, kur krijojnë besim, i hapen duke i rrëfyer historitë e tyre, në detyra, ese, dialog verbal, etj.
Kush nuk i dëgjon nuk është pedagog, por thjesht një horr horri, një maskara!
Tregimi i parë : Kur isha maturante, profesor, jo tani që jam studente, në sallën ku bëhej provimi i maturës në matematikë, hyri një kopje, por ajo qarkullonte vetëm për ata maturantë që ishin të së njejtës parti që ishte edhe drejtori i shkollës. Ne e shihnim, por nuk kishim se çfarë të bënim, ku ta denonconim, me çfarë pasojash!
Tregimi i dytë : Kur isha në shkollë të mesme, profesor, erdhën të dërguar nga forume rinore partish dhe na premtonin që po të futeshim në to, do të na jepeshin bursa falas në një ose dy universitete private. E kupton vetë ti! Mjafton që ne të aktivizoheshim në fushata elektorale, në mitingje, etj!
Tregimi i tretë : Studentë në masë shkojnë në forume rinie partish të ndryshme, profesor, mos kujto për ndonjë ideal, jo, fare, por sepse e dinë që vetëm marrja e një tesere partie, jep mundësi për karrierë, punësim, dhe kështu me radhë. Të tjerëve ju rroftë diploma dhe notat e mira!
Tregimi i katërt, profesor, pa qenë antar partie ose antar i organizatave rinore, nuk mund të punësohesh as në pushtetin lokal, pra në bashki të ndryshme. Nëse është e një partie në opozitë, ata të rinj punësohen, kurse poqese është e partisë që ka kryetarin e bashkisë, atje punësohen ata të rinj që i shërbejnë karrierës politike të kryetarit, ose bashkitë e partisë përkatëse, këta të rinj bashkitë ndodh që ua huazojnë kryetarëve të partive të tyre për t’i përdorur në mitingje e fushata.
Në një pjesë të madhe forca elektorale e partive në kryeqytet varet nga përplasja e kontigjenteve të bashkisë së Tiranës me atë të Kamzës, profesor!
Mos kujto, profesor se të rinjve u hangri barku për politikë, jo, por antarësimi në parti dhe në organizata rinore partiake është bërë si trampolinë për një vend pune.
Nuk kam prova të drejtpërdrejta për t’i besuar ose mosbesuar sa më sipër!
Unë nuk jam as agjent sekret të merrem me hulumtime!
Por, poqese këto ndodhin, atëhere pa nji pa dy :
Ky është korrupsion elektoral!
Ky është korrupsion i atyre universiteteve private që pasi japin gjoja bursa falas për militantë, këta militantë pastaj zënë vende pune në administratë shtetrore ose publike dhe universitetet në fjalë krenohen pastaj se kanë cilësi meqë studentë të tyre gjejnë vende pune. Si edhe marrin beneficet nga pushteti i radhës!
Eshtë një sistem i tërë korrupsion profesor!
Ja këto gjeta një herë të shkruara nëpër ese dhe detyra studentore në lëndë sociale!
Dhe ne kërkojmë që të rinjtë të motivohen për të studjuar!
Nuk e di nëse ishin fiksion apo realitete.
Nuk desha t’i besoja! Ende nuk iu besoj syve!
Jooooo! – bërtas natën në gjumë, nuk mund të jenë të vërteta!
Një korrupsion i tërë elektoral dhe social në shkëmbim të vendeve të punës.
Më duhen anketime dhe kontroll evidencash konkursesh për t’a provuar, tani për tani, thjesht po ndaj ato që kam lexuar ndër vite!
Pa i u besuar syve!
Kuptohemi!
Të gjitha m’u kujtuan kur pashë në televizor takimin e fundit zytaro-elektoral te pallati i kongreseve, me mësuesit e thirrur me përdhunë administrative !
Tamam kongres nga ato për të cilët ai pallat është ndërtuar. Mu në të njejtën ndërtesë me atë të Bashkimit Europian që sigurisht duke qenë e shtunë nuk i ka dëgjuar as thirrjet as ofshamat!
Ajo që të bije në sy është komenti i ish ministrit Manjani i cili shprehet se e vetmja rrugë që iu mbetet njerëzve është të largohen nga ky vend.
‘’ Ndaj dhe kush ka vetem pak mundesi, iken! Iken nga syte kembet! Iken prej ketij realiteti.
Natyrisht nuk eshte kjo zgjidhja, por nuk e di me se si e kur zgjidhet kjo gje!!!☹️☹️☹️
Kjo eshte katastrofa me e madhe qe na ka ndodhur!
Duhet nje proteste aq e madhe sa nuk e pershkruaj dot! Jo thjesht ndaj nje qeverie, por ndaj nje politike te tere qe ka sjelle kete realitet! Nuk duhet harxhuar asnje vote per kete lloj politike! Asnje!
Kjo mund te jete si fillim. Ne vijim, ose krahas me kete levizje duhet perpunuar nje alternative. Ju Profesor e keni formuluar tashme dhe une jam plotesisht dakort me te! Duhet edhe me shume, e gjithe mendesia e “nxenies” ne shkolla tashme elektorale, duhet te zevendesohet me praktiken e dijes, e mendimit krijues dhe te atij kritik!
Pra ka shume pune per te bere dhe nuk jam i sigurte qe kjo lloj politike eshte gati ta lejoje kete gje!Vetem ta lejoje! Asgje me shume….
Mbetet te shpresojme…’’, shkruan Manjani. (E.K/SHUPLAKA)