Sot në orën 12:00 Partia Demokratike do të organizojë në Tiranë protestën, ku deri më tani llogaritet se do të jenë të pranishëm vetëm nga rrethet 10 mijë njerëz.
Përkundër asaj që deklaroi dje Policia e Shtetit se ka informacione për skenare, akademiku Artan Fuga mendon se po dramatizohet.
Fuga thotë se protesta sot është e dobishme për të gjithë qytetarët.
KOMENTI I PLOTË:
Ve re në disa media që po trajtojnë aktualisht: ububu çfarë do të ndodhi në mitingun e 18 shkurtit!
Po dramatizojnë.
Nuk është mirë!
Sigurisht që është përgjegjësia kryekëput, e madhe, ekskluzive e organizatorëve, pra e opozitës demokratike, që ai miting të zhvillohet paqësor, pa dhunë, civilizues.
Po ashtu larg provokatorët që të mos luajnë me durimin e masës!
Ndërkaq nuk besoj se njerëzit thirren në miting për të mos iu thënë gjë.
Unë mendoj se konformë të drejtave demokratike ai miting bëhet i dobishëm për të gjithë qytetarët, shoqërinë dhe shtetin.
Eshtë prelud i fushatës elektorale që po afron. Koha mbrapsht ka filluar.
Zëri është i qytetarëve tani.
Gëzojuni o ju që e plotësuat kontratën me popullin!
Hidhërojuni o ju që i kthyet krahët popullit!
Trembuni ju që abuzuat me besimin popullor dhe u korruptuat!
Besoj se në kushtet kur zëri i qytetarëve në media dëgjohet aspak,
kur në forumet e pushtetit qytetarët janë krejt të përzënë,
kur propagandat politike në parlament kanë krijuar një amulli të paparë,
kur qytetarin e përdorin thjesht për t’i rrahur krahët duke e uruar për lopën e re,
kur njerëzit po ikin në emigrime me mijra e dhjetra mijra,
ka vend që të shihet se çfarë thonë qytetarët direkt, në shesh.
Se mos i ka ftuar ndonjëherë ndokush në referendume!
Ka nevojë t’i dëgjojnë qytetarët në shesh në rradhë të parë vetë opozita.
Sepse as pushteti nuk duhet uzurpuar, por as opozita nuk mund të uzurpohet nga disa që janë bërë kolltukofagë.
Qytetarët në shesh duhet t’i dëgjojë pushteti sepse kur je në pushtet veshët t’i zënë boriet e propagandës tënde. Njësoj sikur Uliksi të kishte këngën e sirenave brenda vetes.
Kanë nevojë që qytetarët e gjithë Shqipërisë të dëgjojnë çfarë do të thonë ata që do të zbresin në shesh.
Të huajt po ashtu.
Eshtë një pikë ndarës për fatet e politikës shqiptare.
Unë shpresoj që masa në miting të mos jetë thirrur vetëm për të dëgjuar, por edhe të flasi, ta thotë me gjuhën e saj, me kulturë, shpirt, humanizëm, shqiptarizëm, dinamikë, ton, pasion të kulturuar, fort, troç, atë që mendon.
Me gjuhën kolektive që masa flet.
Unë nuk besoj se do të kemi thjesht një fjalim publik të radhës, por një event politik emancipues!
Ne si qytetarë kemi nevojë të marrim pjesë në evente e ngjarje politike, jo thjesht të dëgjojmë fjalime politike!
Le të dëgjojmë njeri tjetrin të gjithë që do të jemi atje, që do ta ndjekim në televizion, që do ta përjetojmë si një akt e gjuhë politike, si veprim simbolik politik, sepse kemi nevojë të dëgjojmë se :
cili është bilanci i atyre që janë propaganduar si reforma,
cfarë na propozohet në vend të tyre si ide të reja alternative,
a do të ketë figura të reja që do të dalin në sfondin e horizontit të politikës opozitare apo do të vazhdojë uzurpimi i opozitës nga disa që e kanë mbyllur realisht ciklin politik? Nuk është mosha jo që e mbyll ciklin, por shterrimi i energjive.
A do të jetë në gjendje opozita të japi sinjalin se vullneti i saj dëgjohet nga masa?
Cfarë kumtesh na jep ajo për zgjedhjet që do të zhvillohen?
Ne qytetarët duam zgjedhje të lira, të ndershme, të barabarta, direkte! Tani, kete here, ketu!
Me këtë kod hileqar elektoral vullneti ynë si qytetarë merret nëpër këmbë ligjërisht. Ne duam rinovimin nëpërmjet garës të ndershme të elitave politike! Si në të gjithë botën.
Ne nuk duam më kurrë zgjedhje pa garë të ndershme, duam gare të hapur dhe me rezultate të numuruara në mënyrë të besueshme.
Më mirë pa zgjedhje fare sesa me zgjedhje të pabesueshme.
Le të shohim se me çfarë kodesh kolektive do të flasi masa? Cfarë kodesh i kanë dhënë asaj organizuesit?
Sa bukur në Rumani ku manifestuesit protestojnë me ekrane të ndezur telefonash smart!
Simbolikë e gjetur. Të gjithë të barabartë, një telefon në dorë, protesta me dritë, po !, popujt duan dritë, edhe ne dritë duam, me kode dixhitale për një shoqëri të numerizuar, moderne, jo të shekullit të kaluar të poçit të llampës me qelq kavaje, me telefona në ëeb, simboli i rrjetit, solidaritetit të pathyeshëm.
Jam kurioz të di se cfarë do të thotë fjala e oratorëve,
por shumë më tepër dua të shoh kush do të jenë oratorët e rinj që nuk do të mbesin besoj anonimë, që nuk do të dalin si flutura krimbash mëndafshi dhe pastaj na treten pas pak çastesh në turmë,
Do të jenë ata shpuzë, apo langaraqë të kollarisur papagaj?
Kombi ka nevojë të shohi atje dhe kudo lidera të së ardhmes, në të gjitha krahët, koha bën të vetën. Por jam kurioz të di edhe cili do të jetë “telefoni celular” si kod gjuhe i masës në miting që nuk ka vetëm veshë për të dëgjuar, por edhe mendje e gojë për t’u dëgjuar!