Kolegji i Posatshëm i Apelimit ka konfirmuar në detyrë kryetaren e Gjykatës së Krujës Alma Kolgjoka, pasi ishte apeluar vendimi i dhënë në KPK në fundin e 2018-tës, për konfirmimin e saj.
Në seancën e fundit që u zhvillua pak ditë më parë në KPA, Luan Daci, kreu i trupës që po gjykon ankimin e Komisionerit Publik ndaj gjyqtares Kolgjoka, lexoi fije për pe – përfshi numra kartash identiteti e numra kontratash uji e dritash, provat e mbledhura. Përfaqësuesi i ONM-së Theo Jacobs e quajti fundin e një makthi, kalvarin e Kolgjokës, deri në momentin e konfirmimit në detyrë.
Në tre fjali Komisioneri Publik Dariel Sina tha se provat e sjella sëfundmi nga disa kompani publike dhe private ishin të mjaftueshme dhe se provohej që Kolgjoka kishte bërë deklarim të saktë të pasurisë për të cilën ishte ankuar dhe se prindërit nuk ishin persona të lidhur. Përndryshe Sina kërkoi që vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që kishte konfirmuar gjyqtaren duhej të qëndronte në fuqi.
“Kërkoj konfirmimin në detyrë të zonjës Alma Kolgjoka”, tha Sina.
Kolgjoka tha se ankimi ndaj saj kishte rënë dhe shtoi vetëm se provat e reja kishin dëshmuar katërcipërisht se ajo dhe babai nuk kishin lidhje interesi pasuror, duke kërkuar konfirmimin detyrë. Menjëherë pas kësaj trupa njoftoi se vendimi do të jepej më 25 qershor, por vendimmarrja nuk duket e vështirë.
Vetë provat që KPA dhe Komisioneri Publik kishin kërkuar konfirmuan pretendimet e Kolgjokës. Qoftë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, qoftë Ujësjellës Kanalizime Tiranë, UKT dhe dy kompani private dhe noterja, konfirmuan në përgjigjet e tyre se Kolgjoka, nuk kishte lidhje me pasurinë në shqyrtim, një apartament 141 metra katrorë dhe blerja e tij ishte bërë siç ishte deklaruar prej babait të gjyqtares.
Kryetarja e Gjykatës së Krujës u konfirmua në detyrë në dhjetor të vitit 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi për konfirmimin e saj u ankimua nga Komisioneri Publik në janar të vitit 2019. Procesi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku Kolgjoka po gjykohet nga trupa e përbërë nga Luan Daci kryesues, Albana Shtylla relatore dhe Ina Rama, Sokol Çomo dhe Natasha Mulaj anëtarë, filloi në shkurt të këtij viti, por u shty për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.