Policia e Shtetit ka publikuar një bilanc alarmant të fundjavës, duke raportuar një sërë shkeljesh të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor në disa qarqe të vendit. Shpejtësi deri në trefish mbi normën e lejuar, parakalime të rrezikshme, përdorim i celularit në timon, drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe mosvendosje e rripit të sigurimit – janë vetëm disa nga shkeljet më të shpeshta të evidentuara.
Gjatë fundjavës, Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë dhe strukturat në 11 qarqe të vendit, kanë zhvilluar kontrolle intensive duke përdorur pajisje inteligjente si radarë automatikë Poliscan, dronë, kamera, alkooltestues dhe mjete të tjera teknologjike.
Shkeljet më të shpeshta të cilat janë konstatuar janë:
Shpejtësi ekstreme, deri në trefish mbi normën e lejuar
Parakalime të rrezikshme me rrezik për aksidente,
Drejtim automjeti nën efektin e alkoolit,
Përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit,
Mosvendosje e rripit të sigurimit.
Në këtë kuadër, Drejtuesi i Sektorit për Sigurinë Rrugore, Artur Selimaj, ka bërë thirrje për zbatim rigoroz të sinjalistikës rrugore, sidomos nga drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve. Ai ka theksuar gjithashtu se Policia Rrugore ka hartuar një protokoll të posaçëm për përdorimin e monopatinave dhe biçikletave, bazuar në Kodin Rrugor.
Policia Rrugore ka paralajmëruar se kontrollet dhe monitorimi do të vazhdojnë pa ndërprerje, 24 orë në 7 ditë të javës, në të gjitha akset rrugore dhe në zonat urbane e rurale, për të parandaluar aksidentet dhe për të garantuar sigurinë në rrugë.
“Zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor, mbroni jetën! Mos luani me jetën në rrugë!”
Policia u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje që cënon sigurinë rrugore, duke kontribuar në ndërtimin e një kulture më të sigurt qarkullimi për të gjithë.