Ministri Cakaj ka shkarkuar nga detyra diplomaten, Pranvera Skana, e cila mbante postin e Zëdhënëses dhe Atashehe e Kulturës në Londër, lajm të cilin e ka pranuar vetë Skana.
Pranvera Skana ka qenë ish-bashkëshortja e analistit të njohur Henri Çili.
Kujtojmë që ditën e djeshme Ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj njoftoi fillimin e një reforme të thellë në administratën diplomatike që nis me shkarkimin e 20 punonjësve, ndërsa një pjesë tjetër do të transferohen (lexo këtu).
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar të Integrimit, Cakaj duke replikuar me deputeten Rudina Hajdari, deklaroi për këtë çështje: “Unë them që një pjesë të punonjësve do të transferohen dhe një pjese do lëvizin nga puna. Ju jeni një opozitare konstruktive dhe duhet të jeni e lumtur që po fillon një reformë në shërbimin diplomatik. Ose emërimet janë tepër të vjetra ose nuk janë në lartësinë e duhur. Bushati ka bërë një punë të jashtëzakonshme”.
Sipas tij, “Një pjese e kuadrove duhet të vijnë në ministrinë ku ka vakanca. Për një pjesë të tyre është shkeputur marrëdhenia pasi kanë probleme me sjelljen e tyre. Dhe një pjesë e tyre kanë qënë shumë kohë në sistem dhe kanë bërë shumë pak. Pres që ju të jeni mbështetësja e parë. Dua të jem i kujdesshëm në komentet për opoziten se nuk dua të ndjek shembullin e tyre. Një veprim i tillë nuk kontribuon për hapjen e negociatave. Për ne është i rëndësishëm që të vazhdojë kursi i reformave”.