Joe Biden do të nisë fushatën e tij presidenciale 2024 me një fjalim madhor sot që do të fokusohet në rrezikun për demokracinë që përfaqëson Donald Trump, tre vjet pasi mbështetësit e ish-presidentit sulmuan Kongresin.
Demokrati 81-vjeçar, i cili në sondazhe tregohet se është pas Trump-it, do t’a portretizojë kundërshtarin e tij republikan si një kërcënim për kombin gjatë një fjalimi pranë Valley Forge, Pensilvani, një vend historik në Luftën Amerikane për Pavarësi.
Presidenti do të mbante fjalimin nesër, të shtunën, saktësisht tre vjet pas sulmit të 6 janarit 2021 në Capitol Hill nga mbështetësit e Trump, të cilët u përpoqën të bllokonin vlefshmërinë e fitores së Biden në zgjedhjet presidenciale. Megjithatë, fjalimi përfundimisht do të mbahet sot pasi nesër ka një paralajmërim stuhie.
Përpjekjet për të nxitur fushatën e Biden, i cili e paraqet veten si një mbrojtës i demokracisë, do të vazhdojnë të hënën kur presidenti amerikan do të vizitojë një kishë në Karolinën e Jugut, ku një supremacist i bardhë vrau nëntë afrikano-amerikanë në 2015.
Shefja e ekipit të fushatës demokrate, Julie Chavez Rodrigues, vlerësoi se fjalimi i Bidenit katër vjet më parë, në të cilin ai deklaroi se “po bënte një betejë për shpirtin e Amerikës”, është më i rëndësishëm se kurrë.
“Kërcënimi që Donald Trump përfaqësoi për demokracinë amerikane në vitin 2020 është përkeqësuar në vitet që pasuan”, tha ajo në një deklaratë.
“E frikshme”
Pas kritikave nga disa demokratë, të cilët mendojnë se fushata e Biden-it ka një fillim të ngadaltë, ekziston një dëshirë e fortë për t’i dhënë një shtysë.
Presidenti nuk ka arritur të bindë votuesit se ekonomia amerikane po përmirësohet, pavarësisht treguesve pozitivë, me shumë amerikanë që vuajnë nga kostot e larta të strehimit dhe çmimet e larta të ushqimeve.
Çështje të tjera të mprehta për demokratin janë emigracioni dhe bllokimi i kufirit jugor të SHBA-së, mbështetja për luftën e Izraelit kundër Hamasit që po përçan partinë dhe fakti që Kongresi vazhdon të bllokojë miratimin e ndihmës së re ushtarake për Ukrainën.
Refuzimi i Biden për të trajtuar shumë çështje gjyqësore në pritje kundër Trump, në një përpjekje për të treguar se ai nuk po përpiqet të ndikojë në sistemin e drejtësisë, i ka grabitur atij një nga armët e tij kryesore kundër republikanit.
Por problemi më i madh i Bidenit ndoshta mbetet mosha e tij: rëniet e tij dhe gabimet që ai bën në fjalimet e tij shqyrtohen nga afër.
Trump shfaqet përpara Bidenit në shumë sondazhe, ndërsa vlerësimi i demokratit ishte më i ulëti ndonjëherë për një president në detyrë për muajin dhjetor përpara zgjedhjeve.
“Nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër, Presidenti Biden do të humbiste,” tha William Galston, një ekspert në Institutin Brookings.
Në fjalimet e tij në Karolinën e Jugut dhe Pensilvani, Biden do t’i drejtohet drejtpërdrejt kundërshtarit të tij.
Përveç kësaj, spoti i parë parazgjedhor i demokratit, i cili do të transmetohet për herë të parë në televizion të shtunën, paralajmëron kërcënimin “ekstrem” ndaj Republikës dhe përfshin pamje të sulmit në Kapitol.
“Ishte një gjë e frikshme për të parë,” tha të enjten zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre. “Presidenti do të vazhdojë të flasë për këtë”, theksoi ai.