Më datë 10.04.2025 fillon zyrtarisht fushata elektorale për votimet e 11 Majit.
Në këtë proces shumë të rëndësishëm njëmujor do të përfshihen dhe OSHMA-të, duke bërë pjesë të programacionit të tyre mbulimin e dinamikës së garës mes subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre në çdo cep të vendit.
Transmetimet audio dhe audiovizive, me rolin dhe ndikimin e tyre, do të jenë një hapësirë e dobishme që ndjekësit të njihen më mirë dhe në mënyre të detajuar mbi alternativat e propozuara, mbi strategjitë dhe programet për zhvillimin e Shqipërisë.
OSHMA-të me angazhimin e tyre do të ndihmojnë qytetarët, sidomos ata me të drejtë vote, që të kuptojnë më qartë të përbashkëtat dhe diferencat mes pikëpamjeve dhe zotimeve mbi çka ndodhur, ndodh, apo dhe atë që pritet, duke e bërë fushatën sa më kuptueshme dhe transparente për qytetarët.
Kjo arrihet përmes raportimit dhe analizave të balancuara, organizimit të debateve zgjedhore në mënyrë profesionale dhe me etikë komunikimi, duke shmangur në çdo rast fyerjet apo denigrimet personale mes të ftuarve dhe qëndrimet partizane të moderatorëve.
Kjo përbën një ndihmë të jashtëzakonshme për ndjekësit e përmbajtjeve të transmetuara që ata të informohen dhe edukohen në favor të vendimmarrjes së lirë dhe të pandikuar, në krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt, për ta përmbyllur procesin e 11 Majit 2025 me votime të standardeve demokratike.
AMA do të monitorojë përmbajtjet e transmetuara nga OSHMA-të që lidhen me dinamikën e fushatës zgjedhore, bazuar në kërkesat e Kodit Zgjedhor, apo akteve të tjera të miratuara nga KQZ.
Në komunikim të përditshëm me KQZ-në, AMA do të raportojë gjetjet ditore, javore apo njëmujore, të dhëna që do të publikohen periodikisht në faqen zyrtare https://kqz.gov.al/
Duke iu referuar mënyrës së mbulimit nga OSHMA-të të zgjedhjeve të kaluara, AMA kujton redaksitë për vëmendje ndaj nevojës së zbatimit rigoroz të kërkesave të Kodit Zgjedhor të Republikës, të përmendura dhe në shkresën që KQZ iu ka dërguar datë 27.03.2025, nr. prot. 2212.
Në zgjedhjet e kaluara AMA ka identifikuar dhe raste kur disa prej OSHMA-ve nuk kanë ruajtur raportet kohore të mbulimit të aktivitetit të subjekteve politike pjesëmarrëse; nuk kanë respektuar limitin e volumit të reklamave politike, ose i kanë transmetuar ato jashtë orarit të lejuar nga Kodi Zgjedhor; nuk kanë ndjekur kriteret e publikimit të sondazheve gjatë fushatës; nuk kanë sjellë në AMA përmbajtjet e regjistruara kur u janë kërkuar; nuk kanë respektuar periudhën e heshtjes zgjedhore, etj. Kur OSHMA-të përdorin përmbajtje audiovizive nga subjektet garuese elektorale në transmetimet e tyre, në çdo rast do të duhet ta identifikojnë me shënim të dallueshëm, në cep të ekranit, burimin e filmimeve.
Pritmëria është që OSHMA-të që do të kenë përmbajtje nga fushata elektorale do të angazhohen për raportime sa më profesionale dhe etike në respektim të kërkesave të Kodit, por dhe në respekt të interesimit dhe vëmendjes së shtuar të ndjekësve mbi procesin zgjedhor të 11 Majit.