Fushata zgjedhore e këtij viti, duket më e qetë se vitet e kaluara. Mirëpo pavarësisht kësaj nuk ka shpëtuar pa incidente.
Megjithatë, me incidente apo pa incidente, roli i liderit të partive politike duket sikur ka ndryshuar. Nëse më përpara lideri rrinte në një podium të lartë përpara popullit, sot tentative është për të ëqëndruar në një nivel dhe sa më pranë votuesve.
Gazetari Rezart Cenaj, shkruan me ironi, se ndërkohë që fushata duket të jetë më e civilizuar, njerëzit shkojnë në takimet elektorale që të kapin një vend pune ku të mos jetë e nevojshme të punojnë dhe që të mbështesin uljen e taksave të cilat do mundohen t’i shmangin.
POSTIMI I CENAJT
“Fushata e gjeneratës së re. Në dukje, të paktën. Fushata e zgjedhjeve 2017 është më e civilizuar, HD, me teknologji të reja, pamje droni dhe design-e të mirëmenduara. Me ndenjëse, projektorë të fuqishëm dhe bokse të forta. Duken shumë larg kohët kur njerëzit mblidheshin në shesh dhe kandidati për lider hipte në pedanë mbi popullin e mbledhur.
Tani ai qëndron në të njëjtin nivel me të pranishmit dhe u flet për të njëjtat gjëra që u ka folur gjithmonë. Për punë, rritje pensionesh dhe ulje taksash. Trinomi i pagabueshëm. Në Shqipëri të thonë se nëse i voton, do jesh mirë, jo shumë mirë, por pranueshëm. Dhe kështu, njerëzit shkojnë në takimet elektorale (ish-mitingjet) që të kapin një vend pune ku të mos jetë e nevojshme të punojnë dhe që të mbështesin uljen e taksave të cilat do mundohen t’i shmangin.” (D.D/Shuplaka)