Portalet online që kanë një numër të konsiderueshëm ndjekësish në rrjetet sociale dhe të cilat punojnë në anonimat rrezikojnë të mbyllen gjatë fushatës zgjedhore. Ky është një ndër amendamentet që maxhoranca ka propozuar për të ndryshuar Kodin Zgjedhor. Shumica, në amendamentet e saj u ka kushtuar një nen të posaçëm portaleve elektronike, të cilat nuk janë të regjistruara pranë AKEP-it, por serverat dhe domenet e tyre i kanë në vende të huaja.
Pikërisht për këto faqe, PS ka propozuar që të regjistrohen ose të mbyllen nga autoritetet shtetërore për të shmangur propagandën politike në zgjedhjet e ardhshme. Në amendamentet e PS-së, në nenin 10 të saj, thuhet se: “Ndalohet përdorimi i portaleve elektronike të pakontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Mediave për propagandë zgjedhore. Autoritetet shtetërore marrin masa për mbylljen gjatë fushatës zgjedhore të portaleve elektronike të paregjistruara, të cilat përhapin propagandë zgjedhore, zhvillojnë sondazhe pa respektuar rregullat e këtij Kodi, apo kalojnë kufirin e informimit dhe konsiderohen propagandë zgjedhore”.
Po ashtu, një amendament tjetër është dhe ndalimi i transmetimit të sondazheve apo exit-poleve, 5 ditë para datës së zgjedhjeve. Dhe në deklarojnë emrin e porositësit dhe numrin e të intervistuarve. “Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 5 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit”, thuhet në pikën 4 të nenit 10. Një tjetër kufizim do të jetë zhvillimi i fushatave elektorale në institucione publike.
QËNDRIMI I PD-SË:
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka akuzuar dje maxhorancën që sabotoi në mënyrë të qëllimshme realizimin e Reformës Zgjedhore, edhe pse opozita e ka paraqitur platformën saj që më datë 17 maj. Oerd Bylykbashi tha dje se: “Edi Rama, kjo qeveri, ka sabotuar në mënyrë të qëllimshme procesin e Reformës Zgjedhore, vetëm e vetëm që të vijmë në këtë pikë ku janë dekretuar zgjedhjet, ka filluar procesi i hartimit të listave, procese të tjera zgjedhore dhe asgjë, si asnjëherë më parë, në qeverisjen e Edi Ramës, nuk është bërë për Reformën Zgjedhore, edhe pse zgjedhjet janë te porta”.
Demokrati tha më tej se nëse nuk merret parasysh urgjentisht platforma e PD-së, atëherë zgjedhjet e lira janë në rrezik. “Platforma e Partisë Demokratike ka kërkuar në mënyrë shumë të qartë të kriminalizohet shitblerja e votës, të merren të gjitha masat që kjo të bëhet e pamundur dhe një nga këto masa do të ishte votimi elektronik dhe identifikimi biometrik i zgjedhësve. Pikërisht për të bllokuar këtë, e bllokoi procesin e Reformës Zgjedhore. Kemi kërkuar financim 100 % nga burime shtetërore të partive politike dhe fushatës zgjedhore për të hequr korrupsionin zgjedhor, që vjen nga paraja e krimit dhe korrupsionit qeveritar. Kemi kërkuar një numër masash të tjera, që garantojnë barazinë në media dhe zhdukin problemet që OSBE-ODIHR-i ka konstatuar. Nëse platforma e paraqitur nga Partia Demokratike nuk merret në shqyrtim urgjentisht, pa vonesa të mëtejshme, nuk ka asnjë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme më 18 qershor të vitit të vjen”, tha ai. /Panorama/