Bota e futbollit i dha lamtumirën ish-presidentit të UEFA-s Lennart Johansson, i cili është një nga figurat më të rëndësishme të institucioneve evropiane të futbollit.
Johansson u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare pas një sëmundjeje. Ai drejtoi UEFA-n për 17 vjet nga viti 1990 deri në 2007 dhe do të mbahet mend gjatë pasi falë punës së tij, kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube, që dikur quhej Kupa e Kampioneve, u zgjerua dhe u shndërrua në Champions League që njohim të gjithë, e ku marrin pjesë pothuajse të gjithë futbollistët më të mirë në botë.
I lindur në vitin 1929 në Stockholm, Johansson e nisi karrierën si drejtues në klubin e tij të zemrës AIK Solna, përpara se të zgjidhej president i Federatës suedeze të Futbollit në vitin 1984, detyrë që e ushtroi deri në vitin 1991. Pas kësaj, karriera e tij mori një ngjitje të menjëhershme, pikërisht në UEFA, institucion të cilin e shndërroi edhe në superfuqinë aktuale të futbollit.
Në nder të tij u mbajt edhe një minutë heshtjeje në momentin e hapjes së Kongresit të FIFA-s në Paris. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në fillimin e çdo ndeshjeje të kualifikueseve të “Euro 2020”, “Nations League” dhe ndeshjeve të skuadrave U21.