Fundi i 2017-ës dhe fillimi i 2018-ës e kanë gjetur Era Rusin me shumë angazhime artistike. Koncerte, muzikë live, angazhimi në “C’est la vie”, por edhe shumë projekte të reja rrugës mjaftojnë që t’i zënë thuajse të gjithë kohën artistike këngëtares së njohur.
Për vitin 2018, Era ka shumë plane, “e di se çfarë dua, por nuk e di se çfarë do bëj”, – thotë ajo për projektet e reja, por pranon se nuk është strategjike, madje ka edhe dëshirë që gjithçka t’ia lërë kohës.
E ftuar sot në Pop Culture, Era Rusi ka ndarë me publikun edhe disa prej sekreteve dhe prapaskenave të kompeticioneve muzikore. Një prej surprizave që Era e tha sot për herë të parë publikisht ishte edhe historia pas një çmimi të ngatërruar në Top Fest 11.
Duke kujtuar një prej kompeticioneve të festivalit të muzikës moderne shqiptare, Era zbuloi se Çmimi i Internetit qe ajo fitoi me këngën “Hajde me ne”, në fakt ishte çmimi i Xhensila Myrtezajt. Kjo e fundit u vlerësua me çmimin “Best Pop Rock” me këngën “Jeton tek unë” që gjithashtu ishte çmimi i Erës:
“Tani mund ta them se kanë kaluar shumë vite dhe nuk i mbetet hatri askujt. Në atë edicion çmimi im u ngatërrua me çmimin e Xhensilës. Çmimi i Internetit përkthehet çmimi i publikut dhe unë mendoja që dikush nga publiku të reagonte dhe të thoshte ‘nuk kemi votuar pët këtë’…” – tregon Era për Pop Culture.
Por pas saj, asgjë nuk ndodhi. Publiku, ndoshta nuk e kuptoi se cilit iu dha çmimi i tij, por Era, me natyrën e saj sportive dhe të drejtpërdrejtë, përherë ka menduar se pritja e publikut është çmimi më i madh që mund të fitojë çdo artist, shkruan ‘’Revista class”.