Udhëheqësit kryesorë botërorë kanë rënë pre e gafave të tyre duke menduar që mikrofoni është Iimbyllur.
Që nga Sarkozi, Obama, Xhorxh Bush dhe Toni Bler, por edhe shumë të tjerë, deri tek Ronald Regan do të mbahem mend përveçse për veprimtarinë e tyre politike, edhe për gafat e tyre.
Ata duke menduar se mikrofoni është hapur janë shprehur në mënyrë të sinqertë për homologët e tyre, shtetet apo votuesit.
Në njërën nga gafat më pikantet Obama dhe Sarkozi flasin keq për Netanjahun. Ata u dëgjuan të flisnin për Kryeministrin izraelit, Beniamin Netanjahu në samitin e G20-ës. Sarkozi i tha Obamës: “Nuk e duroj dot, është gënjeshtar”, sipas faqes së internetit Arret sur Images. Thuhet se Obama u përgjigj: “Je lodhur prej tij; pa më pyet mua? Mua më duhet të merrem me të përditë”.
Disa nga liderët që kanë rënë pre e mikrofonit të hapur:
Gordon Braun për votuesen fanatike
Fushata e Kryeministrit të atëhershëm britanik, Gordon Braun nuk po shkonte shumë mirë, por ai as e kishte idenë se sa do të përkeqësohej, kur të ndalej dhe të bisedonte me një votuese në Rochdale, Angli, një javë para zgjedhjeve. Xhillian Dafi, një pensioniste 66- vjeçare e qortoi Braunin, duke shpjegaur përse – pavarësisht se kishte mbështetur laburistët e tij gjithë jetën – tani kishte turp të pranonte përkatësinë politike. Brauni vazhdoi me një bashkëbisedim të sjellshëm me të para kamerave, më pas u largua, pa e ditur që mikrofonin e kishte ende ndezur. Kur hyri në makinë, ai iu ankua këshilltarëve: “Kjo ishte katastrofë. Nuk duhej të më kishin vënë kurrë me atë grua… Qesharake… grua fanatike”. Më pas Brauni kërkoi ndjesë, por i humbi zgjedhjet.
Xhorxh Bush dhe Toni Bler
Paraardhësi i Braunit, Toni Bler ishte dëshmitar i një prej gafave më të mëdha me mikrofonin ndezur nga presidenti Bush, gjatë një dreke pune në samitin e G8- ës në Rusi. Bushi e përshëndeti Kryeministrin duke thirrur “Yo Blair!” dhe e falënderoi për një pulovër, që Bleri ia kishte dërguar së fundmi si dhuratë. Më pas, ai nisi të diskutojë për situatën në Lindjen e Mesme, duke ofruar një zgjidhje jo dhe aq diplomatike për vështirësitë mes Siris dhe Izraelit. “Ajo që duhet të bëjnë”, i tha ai Blerit, “është ta detyrojnë Sirinë që të detyrojë Hezbollahun t’i japë fund këtij m…, dhe kështu e gjitha merr efund”.
Bushi për një gazetar
Presidenti i 43 i SHBA i kishte zakon gafat – për “Bushizmat” e tij të famshme janë shkruajtur libra të tërë – dhe ato u shfaqën edhe gjatë fushatës. Në një ndalesë në Illinois në vitin 2000, Bushi u kap nga kamerat duke e quajtur Adam Klajmerin e Nju Jork Tajms një “trap të madh”, dhe Dik Çenej iu përgjigj atypëraty: “Oh po, shumë i madh”.
Më pas Bushi tha se i vinte keq që komentete tij ishin dëgjuar. “Më vjen keq që komentet private u shfaqën në televizione”, tha ai. “Më vjen keq që njerëzit i dëgjuan”.
Princi Çarls për korrespondentin e Familjes Mbretërore
Bushi nuk është e vetmja figurë publike që ka shprehur zemërim dhe irritim ndaj mediave në një moment kur e kanë kapur pa dashje kamerat. Princi Çarls u kap nga media britanike teksa pëshpëriste për një gazetar, me të bijtë, Uilliam dhe Herri, gjatë një seance fotografish kur ndodheshin me pushime për ski në Zvicër.
“Nuk e duroj dot atë njeri. Eshtë i tmerrshëm, vërtetë i tmerrshëm”, tha ai për Nikolas Uitçuell, korrespondent i BBC për familjen mbretërore. Komenti ndihmoi shumë pak për të rregulluar marrëdhënien e tij me median, dhe vërtetoi që gafat sërish mund të ofendojnë, edhe kur thuhen me gjuhë të sjellshme.
Xho Bajden dhe Obama
Zëvendës presidenti i SHBA, Xho Bajden është në një nivel vërtetë më vete. Në një prej gafave të tij më të famshme, ai u kap në kamera duke përdorur fjalën Fuck teksa përgëzonte obamën për firmosjen e një ligji të shumëdiskutuar për ribërjen totale të kujdesit shëndetësor, në mars 2010. Duke ia prezantuar presidentin mediave, ai u kthye të përqafojë Obamën, duke pëshpëritur: “This is a big fucking deal”.
Xhon Mejxhër për kolegët… dhe vetveten
Zgjedhjet janë gjithmonë një terren pjellor për gafa, teksa politikanët luftojnë për kohë televizive dhe tituj gazetash, por kryeministri i atëhershëm i Britanisë së Madhe, Xhon Mejxhër u gjend në telashe në vitin 1993, kur pranoi se nuk e kuptonte përse njerëzit vazhdonin ta votonin.
Një ditë pasi pjesëtarët e Partisë së tij Konservatore ishin rebeluar në Parlament, për shkak të planeve për zgjerimin e lidhjeve të Britanisë me Europën, Mejxhër që zakonisht ishte shumë i rezervuar, u dëgjua tek i quante “bastardë” ligjvënësit euroskeptikë, dhe kanosej që t’i “kryqëzonte”. Duke folur me një gazetar pas një interviste – kur mendonte se mikrofoni ishte fikur – Mejxhëri tha se “nuk e kuptoj përse një burracak si unë vazhdon të fitojë”.
Zhak Shirak për ushqimin britanik
Presidenti i Francës, Zhak Shirak gjithashtu është kapur pa dashje nga kamerat, duke kritikuar një komb të tërë. Shiraku po luante një rol udhëheqës në përpjekjet e Parisit për të organizuar Olimpiadën e vitit 2012, kur u përpoq të bënte maksimumin me atë që e shihte si avantazh të qartë ndaj konkurrentit britanik: ushqimin. “E vetmja gjë që ata kanë bërë ndonjëherë për bujqësinë europiane, është sëmundja e lopës së çmendur”, i tha ai presidentit rus, Vladimir Putin dhe kancelarit të atëhershëm të Gjermanisë, Gerhard Shrëder. “Nuk mund t’u besosh njerëzve që kanë kuzhinë kaq të keqe”. Komentet provokuan zemërimin e tabloidëve britanikë, por ata që qeshën të fundit ishin pikërisht britanikët, pasi fituan të drejtën për organizimin e Olimpiadës, transmeton bota.al.
Ronald Regan për Rusinë
Një shaka e presidentit Ronald Regan në kulmin e Luftës së Ftohtë mund të kish patur pasoja vërtetë serioze. Duke marrë pjesë në një kontroll të zërit pak përpara fjalimit të përjavshëm radiofonik në gusht 1984, Regani u tha dëgjuesve: “Bashkatdhetarët e mi amerikanë, jam i kënaqur t’ju shpall sot se kam firmosur ligje që e nxjerrin Rusinë të paligjshme, një herë e përgjithmonë”. (B.H/Shuplaka)