Edi Rama ka folur për herë të parë sot për zgjedhjet që do të mbahen në FSHF.
Ai u shfaq në takimin e sotëm që u zhvillua në Kompleksin Dinamo në krah të Presidentit aktual dhe njëkohësisht kandidatit për kreun e FSHF-së, Armando Duka.
Rama u shpreh mes të tjerave se ai nuk do të ngatërrohet fare në lidhje me zgjedhjet. Edhe pse mes rreshtave Rama e ka thënë qartë se pa mbështetjen e qeverisë nuk bëhet asgjë në lidhje me sportin.
A është kjo një mënyrë sesi Rama ka zgjedhur në heshtje të pranojë se sportit i duhet ndryshim dhe mbështetja e tij ka shkuar në drejtim të deputetit të tij, Bashkim Finos.
“Nuk bëhet fjalë thjesht për të ndërtuar zyrat e FSHF por për të ndërtuar një shtëpi të futbollit shqiptar, të kombëtares shqiptare dhe me modesti një mikrokomercano që është një qendër ekselence në Itali ku jo vetëm mirëpritet kombëtarja por ky zhvillohet edukimi në vazhdim i trajnerëve ku zhvillohen kurse kombëtare e ndërkombëtare, kjo shtëpi është pjesë integrale e parkut olimpik.
Më vjen keq që si ish sportist i Dinamos për gjithë ata bashkëudhëtarë, bashkëvujtës, bashkëndërrimtarë, se kemi kaluar një pjesë të jetës sonë në godinën që do shembet, kam marrë shumë mesazhe nga nostalgjikët:
Si ka mundësi do zhduket godina por ka pushuar kjo godinë së qeni e Dinamos, godina që kemi mbrapa për turp u kthyem në kafazin e pëllumbave të shumësportshit .
Këtu mungon vetëm Federata e Federatave që pas 18 muajsh do ketë një tjetër godinën simbol, kjo shtëpi e futbollit plotëson fazën e dytë të parkut olimpik që do përfundojë me pishinën e re të mbyllur dhe me mjedisin e parkut parashikuar nga bashkia dhe paralelisht ka përfunduar projekti për transformimin e kopshtit botanik.
Kjo është një pamje besoj e të sotmes e të nesërmes që meriton vërtet vëmendje, kështu që unë dua të them se është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e një transformimi që ka nisur.
Por pa mbështetjen e qeverisë jo këtu po në asnjë vend që kërkon të zhvillojë futbollin është e pamundur, ne e kemi pasur qysh në ditën e parë prioritet mbështetjen e sportit, shifrat flasin vetë dhe rezultatet, do vazhdojmë të bëjmë më shumë akoma.
Përgëzime dhe mbarësi për gjithë komunitetin, unë jam besimplotë se pas 18 muajsh do jemi të çliruar nga një barrë e borxhi ndaj ekipit kombëtar që ka bërë shumë për këtë vend dhe e meriton shtëpinë e vet për t’u stërvitur e për të luajtur.
Me këtë, e Arenën Kombëtare që do jetë gati në fillim të vitit të ardhshëm besoj se ndjenja e çlirimit, është plotësisht legjitime.
Ju lutem mos më ngatërroni mua me zgjedhjet në FSHF”, përmbylli kryeministri.
(E.K/FAXWEB)