Ka filluar protesta e paralajmëruar e Diasporës, ndonëse Policia e Shteti nuk u dha atyre leje.
Në hapje të protestës, organizatori Genc Sejko, i njohur ndryshe si “Njeriu Meme”, u shpreh se pushteti u mundua të frikësojë qytetarët, por nuk ia doli, pasi qytetarët i ka poshtë zyrës së tij.
Sejko tha se Kryeministri u garantoi protestë ekstremistëve grekë, por ua mohon patriotëve shqiptarë.
“Ka qenë gjithmonë besimi im, se nëse ke një çështje të drejtë, mund të qëndrosh edhe vetëm, pak rëndësi ka sesa veta janë. Dje ata i dhanë një sinjal qytetarëve, se Diaspora nuk do të protestojë para Kryeministrisë, sepse nuk iu dha leje. Z.Kryeministër, nuk kërkuam leje. Ju garantuat protestën e ekstremistëve grekë dhe kërkuat të ndalonit protestën e patriotëve shqiptarë. Ju thatë se nuk do të ketë protestë, por ne jemi këtu.
Me bashkëatdhetarë nga e gjithë diaspora diskutuam të vinim këtë, kundër kësaj arrogance qeverisëse përballë popullit të vet. Jemi këtë për të gjitha kauzat, nga Tetari Kombëtar, banorët e Astirit, minatorët, ish-të përndjekurit e deri tek studentët”, tha Sejko, ndërsa i falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen dhe paralajmëroi se protesta do të vazhdojë.
Protestës së Diasporës po i bashkohen edhe banorët e Astirit.
(B.B/ Faxweb.al)